NË VEND QË TA NGRENË NË DETYRË, POLICJA E NJËSISË SPECIALE DEGRADOHET ME PUNË KANCELARIKE ME RROGË TË ULËT, I KANË THËNË QË S’IU DUHEN FEMRA

NË VEND QË TA NGRENË NË DETYRË, POLICJA E NJËSISË SPECIALE DEGRADOHET ME PUNË KANCELARIKE ME RROGË TË ULËT, I KANË THËNË QË S’IU DUHEN FEMRAPjesëtarë të Njësisë Speciale gjatë stërvitjes (Foto: Gj. Liçovski)

Policja e MPB-së, pjesëtare e Njësisë së Operacioneve Speciale “Tigri”, pas kthimit nga pushimi shtatzënor përfundoi si nëpunëse në kancelari, me rrogë dhe pikë më të ulëta, pasi siç tregon se i ka thënë udhëheqësi, nuk nevojiten femra në njësinë e saj. Si nënë e dy fëmijëve me moshë gjer në 10 vjet, me dekret të qeverisë gjatë periudhës së gjendjes së jashtëzakonshme, i ka mbajtur ata në shtëpi, ndërsa ato ditë asaj i janë marrë joligjërisht nga pushimi vjetor.

Kolegët e saj meshkuj, me status dhe arritje të njëjta, tashmë janë ngritur në detyrë në përputhje me rregulloren e re të MPB-së, në oficerë të lartë policie të operacioneve Kategoria E, niveli E3, në Njësinë e Operacioneve Speciale e me 60 pikë shtesë. Jo vetëm që s’ka marrë ngritje në detyrë, por edhe përballet me keqtrajtim në vendin e punës. Ajo thekson që udhëheqësi refuzon t’ia mundësojë pjesëmarrjen në përgatitje për kualifikim dhe parakualifikim, që janë thelbësore për profesionin e saj.

Policja speciale M. S. diskriminimin që përjeton veç nga fakti që është femër, e ka paraqitur në Komitetin e Helsinkit për të drejtat e njeriut, që menjëherë e paraqitën tek avokati i Popullit Ixhet Memeti, por Komiteti i Helsinkit ende pret përgjigje.

SAKAMDAKAZHAM.MK iu drejtua MPB-së rreth çështjes së diskriminimit dhe keqtrajtimit të polices speciale M. S., por ende, pas dy ditësh, nuk ka marrë përgjigje.

Diskriminimi në baza gjinore është i ndaluar me ligj.

Në nenin 5 të Ligjit për parandalimin e diskriminimit shkruan:

“Ndalohet çdolloj diskriminimi në baza racore, të ngjyrës së lëkurës, të prejardhjes, të përkatësisë etnike ose kombëtare, të gjinisë, të orientimit seksual, të identitetit gjinor, të përkatësisë në grupe të margjinalizuara, të gjuhës, të shtetësisë, të prejardhjes shoqërore, të arsimimit, të besimit fetar, të orientimit politik, të besimeve tjera, të aftësive të kufizuara, të moshës, të gjendjes familjare ose bashkëshortore, të statusit të pasurisë, të gjendjes shëndetësore, të pronësisë personale dhe statusit shoqëror, ose çfarëdo baze tjetër.”

  1. S. ka të drejtë ta padisë udhëheqësin dhe MPB-në pranë gjykatës civile dhe neni 32 i Ligjit thekson që ky proces gjyqësor është urgjent. Gjoba e paraparë për diskriminim në ngritje në detyrë pasi është femër dhe nënë, siç qëndron në paraqitjen drejt Komitetit të Helsinkit, është 3.000 euro për Ministrinë e Punëve të Brendshme, ndërsa me 30 përqind të kësaj shume mund të gjobohet udhëheqësi i saj i cili refuzon të nënshkruajë vendim për ngritjen e saj në detyrë, dhe e ka ricaktuar si nëpunëse në kancelari.

Nëse polices speciale M. S. përsëri i refuzohet ngritja në detyrë, ajo përsëri mund të padisë për diskriminim të vazhduar dhe në këtë rast gjoba për MPB-në është 5.000 euro, ndërsa udhëheqësi gjobitet me 30 përqind të shumës së lartpërmendur, ose 1.500 euro.

Gruaja është e punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme nga 1 nëntori i vitit 2013, me marrëveshje punësimi për kohë të pacaktuar. Përvojën e parë si praktikante për police e mori në Byronë e Sigurisë Publike pranë MPB-së. Me 09 korrik 2014 ajo punësohet si police e operacioneve Kategoria E, niveli E4, në Njësinë e Operacioneve Speciale, në Repartin e Njësive Speciale, Shërbimet Qendrore Policore, Byroja e Sigurisë Publike pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme. Për këtë vend pune ajo duhet të marrë rrogë me shumë prej 520 pikëve dhe me shtesë të rrogës prej 45%.

M. S. u ngrit në detyrë më 24 nëntor 2018; me vendim ajo ricaktohet si police e operacioneve kategoria E, niveli E4, në të cilin vend pune i parashihet rrogë me shumë prej 530 pikësh, shtesë prej 20 pikës, shtesë në rrogë (varësisht nga eksperienca e punës) prej 0.5% dhe rritje e rrogës prej 30% falë llojit, natyrës dhe ndërlikueshmërisë së punës policore. Fiton edhe 45% shtesë në rrogë falë kushteve të posaçme të punës dhe rrezikut ndaj jetës së saj.

Ministria ndërkohë ka sjellë rregullore për sistematizim të vendeve të punës dhe vendim për komision të punësimit dhe zhvillimit në vendet e punës të nëpunësve policorë të kategorive E dhe ZH, të formuara me vendim të ministrit më 1 qershor 2016.

Përmes kësaj rregulloreje dhe Ligjit për punë të brendshme, kolegët meshkuj të grupit të saj, me vend të njëjtë të punës si i saj, kanë marrë vendim për ricaktim në oficerë të lartë të policisë për operacione Kategoria E, niveli E3, në Njësinë e Operacioneve Speciale, Reparti i Operacioneve Speciale Policore, Byroja e Sigurisë Publike pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, me rrogë nga 580 pikë dhe me shtesë prej 10 pikësh.

“Por, në grupin e saj, femrat e vetme të punësuara janë ajo dhe një e punësuar tjetër, të cilat edhe pse i përmbushin të gjitha kushtet, ende s’kanë marrë vendim për ricaktim në përputhje me rregulloren e re. Kundër tyre s’janë marrë kurrë procedura disiplinore, përkundrazi, ata deri tani ndërgjegjshmërisht dhe profesionalisht i kanë kryer detyrimet e tyre në kuadër të Ministrisë. Paraprakisht, marrëdhënia e punës e dy grave të grupit që kanë qenë të punësuara në pozitën e njëjtë, ka përfunduar; njëra është shkarkuar, ndërsa tjetra është larguar nga vendi i punës falë diskriminimit që ende vazhdon”, thotë drejtoresha e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut, Uranija Pirovska.

Më 10 mars 2020 është sjellë rregullore e re për sistematizim dhe me këtë M. S., duke luftuar për të drejtat e saj, ka dërguar kërkesë drejt Repartit të Operacioneve Speciale Policore – Njësia e Operacioneve Speciale, duke kërkuar rritje të pikëve të rrogës dhe ricaktimin e saj në vendin e punës të paraparë me rregulloren e re. E punësuara nuk zotëron kopje të kësaj kërkese, ndërsa ende nuk ka marrë përgjigje me shkrim nga komandanti. Verbalisht është lajmëruar që s’ka për të fituar ricaktim pasi e ka shfrytëzuar të drejtën e saj për pushim shtatzënor, ndërsa gra në Njësinë e Operacioneve Speciale nuk janë të dëshiruara.

“E punësuara është njoftuar se në suaza të Ministrisë ekziston propozim për ngritjen e saj në detyrë, që është nënshkruar nga njëri komandant, por jo edhe nga udhëheqësi. Propozimi sipas informacioneve të të punësuarës nuk ka numër arkival. Përveç mungesës së iniciativës për ngritje në detyrë të policeve të operacioneve, në vende pune me pikë më të larta të rrogës në përputhje me rregulloren e re, udhëheqësi refuzon t’u mundësojë atyre përgatitje për kualifikim dhe parakualifikim”, Pirovska aludon edhe në keqtrajtim jo veç ndaj M. S.-së, por edhe ndaj koleges së saj.

Diskriminimi në baza gjinore është i ndaluar me Ligjin për parandalim të diskriminimit, Kushtetutës dhe Ligjit për marrëdhënie të punës. – Drejtoresha e Komitetit të Helsinkit, Uranija Pirovska (Foto: SDK.MK)

Njëkohësisht, pas përfundimit të pushimit shtatzënor të palës akuzuese, puna e saj në terren është zëvendësuar me punë kancelarike, pasi udhëheqësi i njësisë verbalisht e ka urdhëruar të kryejë detyra pune në ekipin për planifikim, pozitë e cila nuk parashihet me Rregulloren për sistematizim.

“Falë kësaj, pala akuzuese merr rrogë më të ulët nga sa parashihet me vendimin e saj. Kjo sjellje është indikator i qartë i diskriminimit nga ana e udhëheqësit, që ka tendencë për t’i larguar femrat nga terreni dhe t’ia bllokojë zhvillimin në karrierë”, paralajmëron Pirovska.

Por, nuk mbaron diskriminimi dhe keqtrajtimi ndaj M. S.-së veç me shkeljen e të drejtës për ngritje në detyrë, për rrogë më të lartë dhe për ta punuar punën që e dëshiron.

“Si rrethanë e cila hap dyshime shtesë rreth vendosjes së policeve në pozitë të pabarabartë me meshkujt, është shkelja e dekretit të qeverisë që parasheh çlirim prej detyrimeve të punës së prindërve që kanë fëmijë gjer në moshën 10 vjeçare. Pala akuzuese është nënë e fëmijëve gjer në moshë 10 vjeçare, ndërsa gjatë mungesës së saj në punë, në sistemin e Ministrisë është shënuar që ajo ka marrë pushim vjetor, edhe pse ajo s’ka kërkuar përdorim të kësaj të drejte. Pas paraqitjes së këtij rasti në Inspektoratin Shtetëror të Punës, kjo parregullsi është rregulluar”, thotë Igor Jadrovski nga Komiteti i Helsinkit.

Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut paralajmëron dhe thekson se meshkujt dhe femrat kanë të drejta të barabarta për ngritje në detyrë dhe kjo është miratuar edhe prej një nga organeve dhe konventave më të rëndësishme ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, siç është Konventa për eliminim të të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave, që në nenin 11 shkruan:

“Shtetet anëtare i marrin të gjitha masat për eliminimin e diskriminimit të grave në lëmën e punësimit që të mundësohet, sipas barazisë së femrave dhe meshkujve, sigurim i të drejtave të barabarta, veçanërisht e drejta për zgjedhjen e lirë të profesionit dhe punësimit, e drejta për ngritje në detyrë, siguria në punësim dhe të gjitha të drejtat dhe kushtet që rrjedhin nga puna, si dhe e drejta për përgatitje profesionale dhe parakualifikuese, duke përfshirë edhe edukimin në ekonomi, edukimin e lartë profesional dhe edukimin shtesë.”

Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut, si akti më i lartë juridik, në nenin 54, pika 3, shkruan:

“Kufizimi i të drejtave dhe lirive nuk mund të jetë diskriminues në baza të gjinisë, racës, ngjyrës së lëkurës, gjuhës, fesë, prejardhjes kombëtare ose shoqërore, pozitës shoqërore ose pronësore.”

Ligji për marrëdhënie të punës në nenin 6, pika 2, vargu 1 pa mëdyshje dhe me vendosmëri e ndalon diskriminimin dhe parasheh: “Femrave dhe meshkujve patjetër duhet t’u sigurohen mundësi të barabarta dhe trajtim i njëjtë në qasjen e tyre ndaj punësimit, përfshirë edhe ngritjen në detyrë dhe përgatitjen profesionale në punë.”

“Duke i pasur parasysh të gjitha faktet e këtij rasti, që janë indikatorë të qartë të diskriminimit të drejtpërdrejtë në baza gjinore, i kryer nga ana e udhëheqësit të Njësisë së Operacioneve Speciale pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut ka dërguar ankesë drejt Avokatit të Popullit, me thirrje për veprim të menjëhershëm për vërtetim të akuzave të kësaj ankese, ta vërtetojë ekzistencën e diskriminimit në baza gjinore dhe të ndërmarrë masa për parandalim të kësaj sjelljeje diskriminuese në kuadër të Ministrisë”, thotë Pirovska. Por, nga Avokati i Popullit ende s’ka përgjigje rreth kësaj situate të rëndë të diskriminimit të policeve në MPB.

S. K. DELEVSKA 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира