RADIOSTACIONI KULTUROR KANAL 103 MBYLLET PAS 29 VJETËVE, KONSIDEROHET JOLEGAL, MRT AKOMA NUK E OFICIALIZON

RADIOSTACIONI KULTUROR KANAL 103 MBYLLET PAS 29 VJETËVE, KONSIDEROHET JOLEGAL, MRT AKOMA NUK E OFICIALIZONKanali kulturor muzikor Kanal 103, nga viti 199, funksionon si një radio eksperimentale në suazat e shërbimit publik, ndërsa vjet në mars, kjo radio u hoq nga eteri, duke vazhduar emitimin e saj ekskluzivisht online; - Foto nga një prej koncerteve të shumta lajv të Stotrojkës (Foto: Kanal 103)

Redaksia e radios muzikore – Kanal 103 është në pritje të vendimit të Këshillit programues të Radiotelevizionit të Maqedonisë (MRT), i cila më në fund, pas 29 vjetëve, do ta oficializojë dhe legalizojë funksionimin e kësaj radioje të mirënjohur shkupjane.

Kanal 103 është një radiostacion i pavarur muzikor, i cili me emitimin e programeve filloi që në 1 maj të vilit 1991, fillimisht si një radio rinore eksperimentale në suazat dhe si pjesë e Makedonsko radio. “Kanal 103 – një shkëndijë drite në labirintet e errëta të Radiotelevizionit të Maqedonisë”, thotë një nga reklamat më të famshme të Kanal 103. Kjo reklamë arrin të kapë me precizitet laserik esencën e Stotrojkës së famshme, një fenomen i rrallë kulturor në tri dekadat e fundit të tranzicionit postkomunist. Me një energji të pabesueshme rinore, ide të freskëta dhe bashkëkohore, dhe sigurisht me popullaritetin e madh që kjo radio njohu në mesin e viteve 1990, Stotrojka arriti të krijojë një politikë krejtësisht të pavarur redaktuese, edhe pse mbeti pjesë e shërbimit publik MRT.

Vjet, në mars, mediumi më i vjetër dhe më i rëndësishëm alternativ në shtet u hoq nga eteri, duke vazhduar me emitimin e programit të tij ekskluzivisht online.

“Kanali 103, nga viti 1991, funksionin vetëm online, si një radio eksperimentale. Askush, deri më tani nuk ka pasur guximin që ta zgjidhë këtë çështje. AEK dhe Agjencia e mediave, e hoqën nga eteri sepse nuk kishte statusin e një radioje oficiale. Unë, si drejtor, kam ngritur këtë çështje drejt Këshillit programues të MRT dhe që në seancën e parë të radhës do ta zgjidhim. Kanal 103 do të bëhet radio oficiale, siç është Makedonsko radio”, na deklaroi drejtori gjeneral i MRT, Marjan Cvetkovski.

Kanal 103 është një radiostacion i pavarur muzikor, i cili për herë të parë nisi emitimin e programit më 1 maj 1991, si një radio rinore eksperimentale dhe pjesë e Makedonsko radio; – Logoja e radios

Edhe për këtë vendim të MRT, do të duhet të diskutojë Këshilli programues, mandati i të cilit ka përfunduar në dhjetor 2019, por në përputhje me ndryshimet ligjore në vitin 2018, deri sa të zgjidhen anëtarët e rinj, në funksion do të mbeten anëtarët e vjetër. Përbërja e kaluar e Parlamentit i kaloi të gjitha afatet ligjore, të parashikuara për përzgjedhjen e përbërjes së re të Këshillit programues. Në konkurs, për 13 vende, deri në fillim të marsit 2019, kishte 19 kandidatë të paraqitur, por Komisioni i zgjedhjeve dhe emërimeve nuk arriti të konfirmonte një listë kandidatësh, e cila duhej të votohej me shumicë të dy të tretave. Kryetari i atëhershëm i Komisionit, deputeti i VMRO-DPMNE-së Ilija Dimovski, nuk caktonte vazhdim të seancave të komisionit pa patur konsensus ndërmjet qeverisë dhe opozitës mbi emrat e listës. Ndërsa qeveria, as nuk u përpoq ta ndryshojë përbërjen e Komisionit, me shumicë opozitën, e as nuk u sigurua që të ketë shumicë prej dy të tretave për zgjedhje të Këshillit programues.

Përveç pranimit formal të ekzistimit, funksionimit dhe punës së Kanal 103 në suaza të MRT, ekipi i Stotrojkës kërkon përfshirje në sistematizimin e MRT si një shërbim publik i qytetarëve të Maqedonisë, me ruajtje të krejtësishme të politikës së saj të pavarur redaktuese, emitimit në të gjithë territorin e shtetit dhe me rinovim teknik të studios së Kanal 103 sipas standardeve bashkëkohore, ku momentalisht nuk ka kushte të mjaftueshme pune, si dhe me sigurim të një hapësire të re zyre dhe transmetues për nevojat e radios.

Kanal 103 arriti të ndërtojë një politikë krejtësisht të pavarur redaktuese, pavarësisht se vijoi të ishte pjesë e MRT. (Foto: Kanal 103)

“Stotrojka është më e vjetër se vetë shteti. Fakti se statusi i saj për pothuajse 30 vjet mbetet akoma i pazgjidhur është vetëm tregues i analfabetizmit kulturor të të gjitha fiseve të deritanishme politike. Stotrojka ishte në Evropë shumë përpara se të dinim për Evropën. Momentalisht kjo radio ka bashkëpunëtorë në Sofje, Londër dhe Bruksel dhe është ndërthurur me dy radioplatforma ndërkombëtare. Nga ana tjetër, Kanal 103 është edhe përmbajtja e vetme e interesit publik që emitohet “ilegalisht” nga objekti i shërbimit “publik”, i cili dekadë pas dekade vijon të rënohet gjithnjë e më tepër, duke marrë me vete gjithë arkivin e historisë sonë kulturore. Në vitet e 70-ta, redaktor i programit së muzikës popullore në Televizionin e Maqedonisë (TV Skopje) ishte Petre M. Andreevski. Sot aty punojnë disa persona anonimë të paorientuar te puna që bëjnë. Me sa duket, personat vullnetarë të Kanal 103 përbëjnë një ishull të rrezikshëm për mijëra të punësuar që ushqehen me paratë e shtetit pa punuar agjë. Frekuenca duhet kthyer urgjentisht! Çdo gjë tjetër është dytësore dhe mund të diskutohet më vonë”, thotë Gjorgji Janevski nga Stotrojka.

Nga Ministria për shoqëri informatike dhe administratë (MIOA) konfirmojnë se radio Kanal 103 është mbyllur për shkak të emitimit shumëvjeçar me frekuenca ilegale.

Ndërkohë, bashkëpunuesit muzikorë të Kanal 103, të gjithë – vullnetarë, vijojnë së emituari programin e tyre online, nëpërmjet strimingut në internet, duke u mundësuar kështu të gjithë dëgjuesve të tyre, ndonëse në kushte pune të një niveli të ulët, një kontakt me radion e tyre të preferuar. Dashuria dhe entuziazmi, thonë ata, akoma nuk na kanë braktisur. Përkundrazi, në kohën e fundit, janë përkushtuar seriozisht që të freskojnë përmbajtjet e programit dhe të rinovojnë ekipin e tyre.

Në letrën e tyre drejt MRT, të cilën Stortojka e dërgoi vjet rishtaz pas heqjes së tyre nga eteri, thonë: “Në epokën e pavarësimit të rrezikshëm të shtetit, akumulimi i kapitalit i shoqëruar me korrupsionin brutal dhe sigurisht, me partizimin e mediave pa presedan, Kanal 103 ka mbetur një oazë e pavarësisë dhe ndershmërisë. Muzikën e ka mundësuar mbi të gjitha dhe para së gjithash pavarësia artistike e jo politike”, dhe se Kanal 103 ka mbetur “një vend ku përfshihen të gjitha minoritetet kulturore dhe ku secili mund ta thotë mendimin e tij pa u censuruar, sigurisht duke mbajtur standardin e kreativitetit dhe konstruktivitetit. Idetë destruktive shoqëroro-politike dhe shija e keqe muzikore kurrë nuk kanë gjetur vend në këtë radio.”

B. NESTOROSKA

 

ЧИТАЊЕТО Е БЕСПЛАТНО.

АМА НОВИНАРСТВОТО НЕ Е.

Поддржете го слободното, независно, професионално новинарство. Новинарство со интегритет.

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира