Sturgani Dimçe Dimoski, i cili ka punuar 19 vjet si fizioterapist me kontratë për punë, mbeti pa punë pasi drejtori i ri i Spitalit Special për Nefrologji, Dr. Jetmir Ziba, nuk ia vazhdoi kontratën. Ai thotë se në vendin e tij të punës janë sjellë tre fizioterapistë të jashtëm që nuk kanë përvojë për punën që duhet të kryejnë.
“Detyrat e punës i kam kryer në mënyrë profesionale, në kohë dhe me korrektësi, pa asnjë ankesë nga pacientët, kolegët dhe eprorët, dhe këtë mund ta konfirmojnë të gjithë punonjësit e sektorit të terapive fizike, nën drejtimin e fiziatrit përgjegjës”, thotë Dimoski.
Drejtori i Spitalit Special për Nefrologji, Dr. Jetmir Ziba, nuk dëshiroi të komentojë pse kontrata e Dimoskit nuk është rinovuar. Ai tha se javën e ardhshme do të shprehet për ngjarjet dhe arsyet pse strugani, bursist i shtetit si kuadër deficitar, mbeti pa punë.
Dimoski është bashkëshort dhe baba i dy fëmijëve të mitur. Si fizioterapist i diplomuar, nga viti 2005 deri në 2014 ka punuar me kontratë në spitalin “Shën Erazmo”, disa vite më pas ka punuar privat, ndërsa dy vjetët e fundit ka qenë i angazhuar në Institutin e Nefrologjisë në Strugë.
“Po kërkoj shpjegim nga Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari pse m’u ndërpre kontrata, sepse nga drejtori nuk kam marrë asnjë shpjegim, as me shkrim, as gojarisht, ndërsa në vendin tim janë punësuar tre kolegë të rinj, gjithashtu me kontratë për punë”, thotë Dimoski.
Kolegët në spital thonë se Dimoski është një profesionist që e njeh mirë punën e tij.
“Kemi pasur një ekspert të vërtetë, një njeri që e njeh profesionin e tij në maksimum, një njeri te i cili mund të mbështetesh në çdo moment. Në vend të tij kanë sjellë tre persona të rinj që nuk janë kompetentë”, deklaroi Dr. Elizabeta Dimoska-Çifligaroska nga Spitali Special për Nefrologji.
Sipas saj, në një kohë kur ka mungesë të kuadrit profesional mjekësor në shtet, janë të papranueshme veprime të tilla, ku në vend që të stimulohen profesionistët, ata largohen nga puna.
S. VRENÇOVSKA