Përderisa Qeveria e ndan paketin e katërt të ndihmave për pronarët dhe qytetarët, i paralajmëron firmat t’ua japin rrogën e nëntorit punëtorëve, të cilen e morrën prej shtetit, shumë dëshmi të shkeljeve të të drejtave të punëtorëve janë paraqitur në organizatat qytetare. Sipas raportit të fundit të Komitetit të Helsinkit për të drejta qytetare, në nëntor janë bërë 21 paraqitje për shkelje të të drejtave të punëtorëve, në të cilat kanë qenë të përfshirë 70 punëtorë. Prej tyre 71% kanë qenë gra, 29% burra.
Komiteti i Helsinkit lajmëron se punëtoret e tekstilit mbeten grupi më i brishtë qytetar, të drejtat e të cilëve janë më të prirura për t’u shkelur gjatë pandemisë së shkaktuar nga COVID-19. Të detyruara të udhëtojnë të ulura njëra mbi tjetrën nëpër autobusët e fabrikës, pa asnjë respektim të protokolleve, një numër i madh i punëtoreve jo vetëm që janë infektuar me virusin korona, por prej tyre janë krijuar togje familjesh të sëmura dhe bashkëqytetarë të sëmurë kryesisht nga Maqedonia Lindore, ku gjendet numri më i madh i fabrikave.
Ata që iu përmbaheshin protokolleve të qeverisë dhe mbetën në shtëpi për t’i ruajtur fëmijët më të vegjël se 10 vjeç, merrnin ose ende marrin vetëm gjysmën e rrogës minimale, që është jashtëligjore. Në shumë prej këtyre rasteve, si dhe për gra shtatëzëna dhe punëtore me sëmundje kronike, pronarët nuk ua vazhdojnë kontratat e punës për orare të caktuara pune. Disa prej punëdhënësve, i kanë detyruar punëtoret e lira t’i lënë fëmijët e tyre dhe të vijnë e të qepin. Një numër i mirë i pronarëve të tjerë, nga ana tjetër, thjesht i largojnë nga puna punëtoret.
Në nëntor, Komiteti i Helslinkit vetë ka regjistruar 88 raste të shkeljes së të drejtave të punëtorëve të punëtoreve të tekstilit dhe ka paraqitur katër kërkesa për mbikqyrje të jashtëzakonshme inspektoriale në fabrikat e tekstilit.
Në njërin nga rastet bëhet fjalë për rrogë të papaguar. Pronari i fabrikës së tekstilit nuk ua ka paguar rrogat punëtorëve për muajt qershor, gusht, shtator dhe nëntor. Në dy prej rasteve bëhet fjalë për mospagim të rrogës minimale siç është paraparë me ligj.
Punëdhënësit në këto raste, për muajt shtator dhe tetor, të punësuarve u kanë paguar rroga më të ulëta se rrogat minimale të parashikuara nga ligji.
Në rastin e fundit, punëdhënësi ka lidhur kontratë me të punësuarit për orar të shkurtuar prej 4 orësh, ndërsa të punësuarit kanë punuar orar të plotë prej 8 orësh. Komiteti i Helsinkit për të gjitha rastet e paraqitura ka nisur procedura për mbikqyrje të jashtëzakonshme inspektoriale para Inspektoratit shtetëror të punës.
“Problemi me shkeljen e të drejtave dhe keqpërdorimin e punëtorëve në industrinë e tekstilit nuk ka filluar me krizën e shkaktuar nga koronavirusi. Mospagimi i rrogave, kushtet nënstandarde në punëtori, dorëheqjet blanko, pushimet e papaguara dhe orët shtesë në punë të papaguara janë vetëm pjesë e problemeve me të cilat ballafaqohen punëtoret e tekstilit vite me radhë. Përderisa sektori qytetar e thekson përmirësimin e kushteve në fabrika këto vitet e fundit, gjendja në industrinë e tekstilit është e tmerrshme. Kriza e shkaktuar nga koronavirusi vetëm i kristalizon dhe i bën edhe më të dukshme mangësitë e instituteve dhe sistemit për mbrojtje të të drejtave të punëtorëve, si dhe kushtet jonjerëzore në të cilat punojnë punëtoret e tekstilit”, thotë Uranija Pirovska, drejtoreshë e Komitetit të Helsinkit për të drejtat qytetare.
Punëtorja e tekstilit tregon se edhe përpos frikës së koronavirusit, përpos shkeljes së të drejtave të saj nga ana e punëdhënësit, ajo është e detyruar të vazhdojë të shkojë në punë, pasi e ka bashkëshortin të sëmurë dhe i nevojiten para për ilaçe.
“Sa herë që shkoj në punë në mëngjes më kujtohet “Denovi” e Koço Racin dhe me lëmsh në shpirt them a është e mundur që me kalimin e viteve mos të vjetrohet kjo vepër, por përkundrazi, tani edhe më shumë vazhdoj ta them, si në shkollë fillore, por si një realitet gjithëpërfshirës në jetët tona. Shkoj me çantë në krah, ndërsa ndihem sikur këmbët më kthehen prapa, por më dhemb shpirti, si do ta duroj këtë ditë kur mendimet do t’i kem në shtëpi, përse brengën e kam kaq të madhe dhe të dhimbshme, por e kam patjetër, patjetër!!! Edhe në këtë kohë, me këtë koronë që na kapi, kam edhe frikë të shkoj në punë, po ku të gjej para për jetesë, e jo më për burrin tim të sëmurë… Më vajtohet gjersa të filloj të bërtas, por i shtrëngoj dhëmbët dhe hesht”, tregon se ç’ka kaluar një punëtore tekstili gjatë muajve të fundit.
“Hipim në autobus të shtypura njëra me tjetrën, çfarë distance, çfarë dreqi, çfarë protokollesh; edhe pse kemi maska, i marrim frymë në qafë njëra-tjetrës. Arsyetimi i pronarëve është se s’ka autobusë, prej ditës tjetër do të lëshojnë dhe do të kemi mjaftueshëm vend… Brenda në punëtori pastrohet që të ketë hapësirë mes nesh, dy-tri maskat i shpëlajmë se s’ka të tjera, ndërsa dorezat i blejmë vetë. Pëshpërisim me njëra-tjetrën sepse kemi frikë mos na çojnë te menaxheri, te shefi e pastaj te pronari. Punon kokulët dhe dëgjon të bërtitur: “Gra, ata që janë në shtëpi me fëmijë të vegjël duhet t’u tregoni të mos vijnë në punë, le të gjinden si më parë, ndërsa ata me fëmijë të mëdhenj s’ka pse të rrijnë në shtëpi, fëmijët e tyre mund të ruhen edhe vetë, të mëdhenj janë. Dhe t’u tregoni, nuk dihet a do të jenë të paguara!” dëshmon një punëtore për përditshmërinë në fabrikë.
Në këtë kontekst, Komiteti i Helsinkit na e përkujton përfundimin e ekspertëve për të drejta nga Kombet e Bashkuara: “asnjë punëtor nuk është i harxhueshëm. Të gjithë punëtorët janë me domethënie esenciale, pa marrë parasysh se cila kategori iu imponohet nga shtetet ose bizneset”, dhe shton se secili punëtor ka të drejtë të jetë i mbrojtur nga rreziqet në punë, përfshirë këtu dhe koronavirusin.
S.K. DELEVSKA