Tashmë prej 7 muajsh reparti i kovidit në Qendrën shëndetësore të Kriva Pallankës është i mbyllur e gjer tani aty s’është trajtuar asnjë pacient, edhe pse numri i të sëmurëve rritet dita-ditës. Pacientët ankohen që mjekët i dërgojnë ata në klinikën infektive ose në qendrat për kovid në Kumanovë dhe Shkup, ndërsa ata për të cilët atje s’ka vende, ose që kanë simptoma më të lehta, shërohen në kushte shtëpiake.
Në Kriva Pallankë dhe në Komunën e Rankovcës janë regjistruat gjithsej 258 të sëmurë me koronavirus, ndër të cilët 106 persona janë aktivë, ndërsa 12 kanë ndërruar jetë.
Gjatë fillimit të krizës shëndetësore në Qendrën shëndetësore të Kriva Pallankës, në përputhje me udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë, u hap reparti për pranim dhe kurim të të prekurve nga kovid-19 dhe janë dhuruar disa pajisje për oksigjenim, mirëpo gjer tani ky repart ende nuk është vënë në funksion. Me 3 prill, kryebashkiaku i Komunës së Kriva Pallankës, Borjanço Micevski e vizitoi qendrën shëndetësore të qytetit, me çrast së bashku me dr. Branko Stamenkovski bënë kontroll të repartit të sapopajisur për pranimin e pacientëve me kovid-19.
Pacientët nga Kriva Pallanka që arrijnë në Kumanovë dhe Shkup ankohen që në Kriva Pallankë nuk marrin asnjë shërbim mjekësor në lidhje me kovid-19.
“Edhe pse i kemi të gjitha simptomat e kovid-19, si bronkopneumoni dhe frymëmarrje të rënduar, në qendrat e kovidit në Shkup dhe Kumanovë nuk na pranojnë derisa s’jemi të testuar dhe të jemi konfirmuar si raste pozitive. Ndërsa, në Kriva Pallankë nuk merren tamponë për testin PCR, madje as mjekët tanë amë s’dinë ç’të bëjnë, janë të pafuqishëm. Nuk na marrin nën përkujdesje as në spitalin e qytetit, po na dërgojnë në shtëpi ose përmes ndihmës së shpejtë na i japin terapitë e shkruara. Veç kur gjendja përkeqësohet shumë na transportojnë në klinikën infektive, por fatkeqësisht, disa herë është shumë vonë. Trajtim në kohë bëhet veç për ata që urgjentisht arrijnë në spitalet në Kumanovë apo në spitalin “8 Shtatori” dhe klinikën infektive në Shkup”, tregojnë pacientët që kontaktuan me redaksinë e SAKAMDAKAZHAM.MK.
Pacientët tregojnë që qendra shëndetësore në Kriva Pallankë ka tre reparte të ndryshme: të kirurgjisë, të mjekësisë interne dhe të neurologjisë, megjithatë edhe ata janë të zbrazur pasi nuk pranohen pacientë.
Drejtori i qendrës shëndetësore, dr. Branko Stamenkovski refuzoi t’iu përgjigjej përmes telefonit pyetjeve të SAKAMDAKAZHAM.MK rreth repartit të kovidit dhe kërkoi që pyetjet t’ia dërgojmë përmes postës elektronike. Mirëpo, edhe pse i dërguam pyetjet, ende nuk kemi përgjigje nga drejtori Stamenkovski.
Pyetjes së SAKAMDAKAZHAM.MK se përse prej shtatë muajsh nuk punon reparti i kovidit në qendrën shëndetësore të Kriva Pallankës, nga Ministria e Shëndetësisë iu përgjigjën se “Reparte të kovidit në qendrat shëndetësore nuk ekzistojnë pasi ata nuk mund t’i përmbushin nevojat e hospitalizimit për pacientët.”
“Reparte të kovidit ka në spitale dhe klinika. Konkretisht në Kriva Pallankë, pacientët kurohen në spitalet e Kumanovës dhe Shkupit. Forma e lehtë e sëmundjes mund të kurohet në rrethana shtëpiake nën mbikqyrjen e mjekut amë. Mirëpo është shumë e rëndësishme që qytetarët, me rekomandim të mjekut amë, të paraqiten në spital në rast të përkeqësimit më të vogël që mund të paraqitet”, lajmërojnë nga Ministria.
Mirëpo në ueb-faqen e Komunës së Kriva Pallankës ende ekziston tekst për vizitën e kryebashkiakut në qendrën shëndetësore më 3 prill, ku thuhet që, në përputhje me udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë, është ndërtuar dhe pajisur repart mjekësor për pranimin dhe shërimin e të sëmurëve me kovid-19, për pacientë të mundshëm dhe personel mjekësor dhe ndihmës, me sipërfaqe prej 300 metrash katrorë, me 15 shtretër në repart; dhe që qendra shëndetësore ka personel mjekësor të specializuar dhe me eksperiencë, që gjithmonë janë të gatshëm të kryejnë shërbime të shkëlqyera mjekësore për të gjithë pacientët. Poashtu thuhet që janë vënë në shërbim edhe hapësira shtesë mjekësore si dhe 30 shtretër të tjerë. Disa biznesmenë lokalë kanë dhuruar pesë pajisje për terapi me oksigjen për repartin e kovidit, të ashtuquajtura koncentratorë oksigjenikë, me të cilat mund të mbështeten dy pacientë.
“Në këto çaste krize botërore shëndetësie, të gjithë aktivisht dhe bashkërisht përpiqemi të gjejmë trajtime për pacientët potencialë dhe qasje të drejtë për përmbushjen e nevojave për parandalim dhe shëndet në bashkësinë lokale”, deklaroi drejtori i atëhershëm i qendrës shëndetësore, dr. Branko Stamenkovski, i cili është kirurg.
Por në krahasim me deklaratat e atëhershme rreth përkushtimit ndaj pacientëve, tani për të prekurit nga kovidi në Kriva Pallankë përkujdesen veç disa infermirë nga Ndihma e shpejtë mjekësore, që pa shoqërinë e mjekut shkojnë nëpër shtëpitë e të sëmurëve për t’iu dhënë infuzione ose për t’i kryer terapitë e caktuara, që si rregull duhet të kryhen veç në kushte spitalore. Ata njëkohësisht kujdesen për rastet emergjente, për përkujdesjen e të prekurve nga sëmundje të tjera, si edhe transportin e tyre gjer në hapësirat mjekësore në Kumanovë dhe Shkup, rrethana që kanë çuar deri në kalimin e kufijve të durimit të tyre.
Kolegët e spitalit të Kumanovës janë ankuar për sjelljen e udhëheqësisë së spitalit të Kriva Pallankës. Ata thonë që të gjithë pacientët nga Kriva Pallanka dërgohen te ta pa ia bërë kontrollat e detajuara, analizat laboratorike dhe inçizimet rentgen të mushkërive edhe pse dinë që kapacitetet e tyre janë të mbushura, në vend që për rastet më të lehta të përkujdesen në spitalin e Kriva Pallankës.
Drejtoresha e Spitalit të përgjithshëm të Kumanovës, Snezhana Zaharieva, thotë që problemin e deklaroi edhe në takimin e saj me ministrin Venko Filipçe dhe kryetarin e Komisionit të sëmundjeve ngjitëse, ku kërkoi që internistët nga Kriva Pallanka t’iu vinë në ndihmë, pasi personeli i tyre nuk është i mjaftueshëm për përkujdesjen e një numri kaq të lartë pacientësh nga rajoni verilindor.
“Edhe ata kanë qendër të kovidit, përse mos t’i hospitalizojnë pacientët dhe t’i mbikqyrin internistët? Edhe te ne të gjithë internistët shërbejnë në repartin e ri – Infektivi 2, e përveç kësaj do të qëndrojnë edhe roje bashkë me doktorët e përgjithshëm të qendrës së urgjencës. Kur i gjithë shteti është duke u mobilizuar, edhe mjekë nga Shkupi shkojnë në Strumicë për t’iu ndihmuar, do të thotë që edhe mjekët nga Kriva Pallanka duhet ta japin mundin e tyre në situatën e porsalindur.” – thotë Zaharieva.
B. NESTOROSKA