Çerdhja “11 Tetori” nga komuna Butel e Shkupit ka refuzuar që të regjistrojë një fëmijë 5 vjeçar me pengesa në zhvillim, edhe pse Shtëpia e shëndetit Shkup – Shërbimi për vlerësim funksional të fëmijëve dhe të rinjve, ka dhënë gjetjen dhe mendimin që fëmija në fjalë të marrë mbështetjen psiko-fizike të zhvillimit të tij pikërisht në këtë çerdhe.
Në fakt, çerdhja nuk ka dhënë asnjë përgjigje ndaj kërkesës së prindërve, e cila është dorëzuar që në gusht të vitit të kaluar, gjë pas së cilës prindi ka ngritur një parashtresë para Komisionit për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi.
Në parashtresë babai ka thënë se fëmija është regjistruar në çerdhen në Shuto Orizare, por atje nuk është pranuar dhe nuk është integruar. Nga aty kanë kërkuar regjistrim në “11 Tetori”, në përputhje me rekomandimin e Shtëpisë së Shëndetit Shkup”. Mirëpo, përgjigje nuk kanë marrë.
Kur babai ka shkuar të marrë informacion personalisht te çerdhja, e kanë gënjyer duke i thënë se ata nuk kanë marrë një kërkesë të tillë, ndërkaq më vonë kanë dhënë përgjigjen (mbrojtje) te Komisioni duke thënë se kanë numër të madh të fëmijëve, nuk kanë personel të mjaftueshëm, se ndalohet regjistrimi i fëmijëve të komunave të tjera etj.
KPMD rikujton se Konventa për të drejtat e njeriut, e cila është pjesë e sistemit juridik të shtetit tonë, në të cilën thuhet se “fëmijët me pengesa në zhvillim përballen me vështirësi serioze dhe pengesa në ushtrimin e tërësishëm të të drejtave të garantuara me Konventën. Vështirësia nuk qëndron vetëm te vetë pengesa në zhvillim që ka fëmija, por edhe te një kombinim i pengesave sociale, kulturore dhe fizike, me të cilat përballen fëmijët me pengesa në zhvillim në jetën e përditshme”.
Komiteti për të drejtat e fëmijëve ka deklaruar se e drejta për mosdiskriminim është një e drejtë kyç për fëmijët me pengesa.
KMPD në lëndë e citon edhe nenin 24 të Konventës, i cili thotë se shtetet nënshkruese (siç është Maqedonia) e pranojnë të drejtën e arsimimit të personave me pengesa, duke iu siguruar atyre të drejtën e përfshirjes, pa asnjë lloj diskriminimi.
“Sistemi inkluziv i arsimit dhe mësimi i përjetshëm, kanë si synim një zhvillim sferik të potencialit njerëzor dhe një ndjenjë të dinjitetit dhe respektit, si dhe zhvillimin e personalitetit, talenteve dhe kreativitetit të personave me pengesa, aftësive të tyre mendore dhe fizike në potencialin e tyre maksimal, me qëllim që atyre t’u mundësohet të marrin pjesë në mënyrë efektive në një shoqëri të lirë”, citon Komisioni për diskriminim për atë se përse e ka sjellë vendimin kundër çerdhes, por edhe për të rikujtuar se çfarë duhet pasur në mendje çdo i punësuar dhe drejtor në një institut edukues-arsimor, si dhe çdo kryetar komune.
Komisioni më 15 korrik (para 5 ditësh) ka sjellë mendimin: “Vërtetohet diskriminim në bazë të pengesave mendore dhe fizike dhe gjendjes shëndetësore, i kryer nga ana e çerdhes “11 Tetori”-Butel, ndaj djalit të mitur të parashtruesit nga Shkupi”.
Po atë ditë ka dorëzuar rekomandim që në afat prej 30 ditësh të regjistrohet fëmija dhe të respektohen rekomandimet për të nga Shtëpinë e shëndetit në Shkup dhe t’i jepet mbështetja e nevojshme fëmijës në përputhje me moshën dhe nevojat e tij. Në të ardhemen çerdhja nuk guxon t’i shkelë rregulloeret ligjore për ndalimin e diskriminimit.
Nëse çerdhja nuk vepron sipas rekomandimeve, Komisioni do ta paraqesë ata para gjykatës kompetente.
S. K. DELEVSKA