Operatori i telekomunikimit, i cili para rreth një viti ka bërë marrëveshje me një klient 27 vjeçar pjesërisht të paaftë, me sëmundje të dukshme të paralizës cerebrale, anë të majtë jofunksionale, epilepsi, shikim të zvogëluar, pengesa në të folur dhe gjendje të rëndë të debilitas mentis, do ta prishë marrëveshjen, pas reagimit të Avokatit të Popullit.
Operatori për më shumë se një vit, e ka refuzuar prishjen e marrëveshjes dhe i është kërcënuar me padi kujdestarit të personit të sëmurë, babait, në rast se nuk i paguan faturat mujore. Tani, pas ndërhyrjes së Ombudsmanit, por me ndërmjetësim të Agjencisë për komunikime elektronike (AEK), e cila është përgjegjëse për kontrollin e punës së operatorëve të telekomunikimit, marrëveshja do të prishet pa pasur nevojë që kujdestari të paguajë dënime dhe pa ia kërkuar muajt e papaguar të shërbimeve të operatorit.
Mosmarrëveshja ka ardhur pasi prej para një viti, 27 vjeçari i sëmurë ka shëtitur pa kujdestarin e tij dhe ka hyrë te operatori i telekomunikimit. Kur ka kërkuar shërbime prej tyre, të punësuarit në vend që t’i vënë re problemet e tij shëndetësore, ia kanë mbushur formularin e nevojshëm në sportel. Klienti me vështirësi kupton tekst të shkruar, me vështirësi flet, nuk sheh mirë, ka probleme fizike, dhe në vend të nënshkrimit, mezi ka vënë inicialet e veta.
Babait të personit të sëmurë, të cilin institucionet e kanë përcaktuar që ta përfaqësojë, të përkujdeset për të dhe t’i ndihmojë, operatori i telekomunikimit i ka thënë që nëse dëshiron ta prishë marrëveshjen në mënyrë të njëanshme, do të duhet të paguajë dënime të larta. I dëshpëruar, babai i personit pjesërisht të paaftë, i është drejtuar Avokatit të Popullit, Ixhet Memeti.
SAKAMDAKAZAM.MK e publikoi këtë iniciativë të Avokatit të Popullit më 14 nëntor, kurse pastaj Agjencia për komunikime elektronike e kontaktoi operatorin dhe kështu u vendos që marrëveshja të prishet pa dënim të personit të sëmurë dhe të kujdestarit.
Në AKE u bëjnë thirrje shfrytëzuesve të shërbimeve të operatorëve të telekomunikimit, që në rast se kanë probleme me ta, të dorëzojnë ankesa, por drejt udhëheqësisë së operatorëve.
Ankesa kundër operatorëve të telekomunikimit nuk duhet dorëzuar në sportelet e tyre. Në të shumtën e rasteve ato ose përfundojnë aty, ose punëtorët ia lejojnë vetes që nga sporteli t’u thonë qytetarëve se janë të refuzuar dhe se duhet të paguajnë dënime. Ankesat, qytetarët duhet t’i dorëzojnë te shërbimet juridike dhe te drejtorët e operatorëve të telekomunikimit”, apelon AKE.
Përktheu: Fjolla Zllatku