PËRMBARUESI PËR NJË VIT IA MERR PENSIONIN FAMILJES PREJ DY JETIMËSH

PËRMBARUESI PËR NJË VIT IA MERR PENSIONIN FAMILJES PREJ DY JETIMËSHAvokati i popullit Ixhet Memeti ka hapur lëndë për rastin në të cilin një përmbarues ua ka marrë tërë pensionin familjar prej 225 eurosh dy fëmijëve jetimë, pasi të hollat e pensionit kanë mbërritur në llogarinë e tezes-kujdestare të tyre. Kujdestarja nuk ka qenë gjendje të shkojë për t’i paguar rregullisht këstet e kredisë për shkak të katastrofës që kanë shkaktuar vërshimet e vjetshme në shtëpinë e saj. (Foto: Dokumente nga rasti i Ombudsmanit)

Dy fëmijë jetim, motër e vëlla nga Serbia, tezja e të cilëve është nga Shkupi dhe ka fituar kujdestarinë e tyre pasi u kanë vdekur prindërit, tashmë një vit nuk përfitojnë as edhe një denar nga pensioni familjar të cilin Fondi i pensionit në Serbi ua paguan çdo muaj. Pensioni familjar prej 225 eurosh për të dy fëmijët është marrë nga ana e një përmbaruesi, pasi ai shkon në llogarinë e tezes-kujdestare të fëmijëve, e cila nga pamundësia për të lëvizur, për shkak të vërshimeve të vjetshme dhe katastrofën që ato kanë shkaktuar në shtëpinë e saj, nuk ka mundur t’i paguajë rregullisht këstet e kredisë.

Kujdestarja e cila nuk e mohon borxhin e saj dhe ka marrë masën që të vetëpunësohet duke hapur një dyqan zanati për qepje në mënyrë që t’ia kthejë borxhin bankës, e pyet shtetin se a është në rregull që një përmbarues të ndërpresë pensionin familjar të disa fëmijëve jetimë dhe t’i lërë, siç thotë ajo, pa bukë? T’ua marrë të gjithë pensionin e të mos u lërë as 1.000 denarë për të blerë bukë?

 

“Problemi qëndron te fakti se në këtë rast ligji është shkelur jashtë mase dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi për të. Përmbaruesi mund të marrë mjetet vetëm nga llogaria e personit që ka borxh, në të cilën vijnë të ardhura nga burimet e tij. Në këtë rast, kur pensioni u përket dy fëmijëve jetimë, askush nuk guxon t’i prekë ato para”, thotë Avokati i popullit, Ixhet Memeti. (Foto: SDK.MK)

Kujdestarja e ka paraqitur rastin te Avokati i popullit Ixhet Memeti, i cili ka hapur lëndë mbi të. Ajo gjithashtu ka dorëzuar edhe një kërkesë drejt Gjykatës themelore Shkupi 2 që të shqyrtohet vendimi i përmbaruesit Gordan Stankoviq. Mirëpo, edhe nga Gjykata mbeti e zhgënjyer. Më 26 tetor, ajo u lajmërua nga Gjykata civile se do ta kthejnë në pikën fillestare ku kishte marrë iniciativën që të reagonte. I kanë thënë që t’i drejtohet Odës së përmbaruesve në Maqedoni dhe Ministrisë së Drejtësisë.

Avokati i popullit thotë se çështja nuk qëndron te borxhi i kredisë prej 3.000 euro, pasi gruaja nuk e mohon atë.

“Problemi qëndron te fakti se në këtë rast ligji është shkelur jashtë mase dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi për të. Përmbaruesi mund të marrë mjetet vetëm nga llogaria e personit që ka borxh, ku vijnë të ardhurat nga burimet e tij. Në këtë rast, kur pensioni u përket dy fëmijëve jetimë, askush nuk guxon t’i prekë ato para”, thotë Avokati i popullit, Ixhet Memeti.
Kur kujdestares i ka ardhur urdhëresa e parë nga përmbaruesi, thotë Memeti, ajo ka shkuar në bankë dhe ka rënë dakord që të paguajë me këste. Mirëpo, gjatë periudhës së katastrofës me vërshimet, shtëpia e saj e cila gjendet në zonën më kritike të lagjes Çento, është dëmtuar jashtëzakonisht. Që atëherë, ajo dhe i shoqi, i cili është me pension invalidor dhe me të cilin kanë dy fëmijë, që do të thotë gjithsej katër fëmijë për të ushqyer, nuk kanë mundur t’i paguajnë rregullisht këstet e kredisë.

“Meqë gruaja nuk ka pasur të holla, përbaruesi ia ka mbyllur llogarinë bankare e cila ka qenë e vetmja mënyrë që të mbërrijnë të ardhurat e pensionit familjar nga Serbia. Ai ia ndërpret të ardhurat rreptësisht, deri në denarin e fundit. Kujdestarja shkon disa herë te përmbaruesi duke i thënë se ato të ardhura janë të dy fëmijëve jetimë, por ai i përgjigjet se nuk i intereson se nga janë. Në maj ajo vjen te ne dhe dorëzon parashtresë”, thotë Avokati i popullit.
Ombudsmani e ka lajmëruar menjëherë përmbaruesin Gordan Stankoviq.

“Na tha se nuk e dinte se nga vinin të ardhurat e kujdestares në llogarinë e saj bankare”, thotë Memeti.
Pas kësaj, kujdestarja i ka sjellë të gjitha dokmunetacionet te zyra e Ombudsmanit, mes të cilave edhe vërtetimin nga banka se të ardhurat në valutë që gjenden në llogarinë e saj bankare janë të ardhura të pensionit familjar. Por, përbaruesi nuk e ka pranuar as vërtetimin bankar, duke mos e zhbllokuar llogarinë e duke vazhduar ta ndërpresë furnizimin me pension familjar të fëmijëve, deri në ditën e sotme.

“Ankohuni te Gjykata themelore Shkupi 2, i ka rekomanduar përmbaruesi kujdestares.
Pas kësaj, kujdestarja ka dërguar kërkesë te Oda e përmbaruesve të Maqedonisë për përgjegjësi disiplinore kundër përmbaruesit Gordan Stankoviq, pasi i ka lënë fëmijët e motrës së saj të ndjerë pa të ardhura. Oda ka vendosur se nuk ka bazë që ajo të vendosë për të ardhurat nga pensioni familjar i të miturve pa prindër dhe e ka drejtuar që të ankohet te Gjykata administrative. Mirëpo, kujdestarja nuk ka mundësi për ta paditur përmbaruesin, nuk ka aspak fuqi finansiare”, thotë Avokati i popullit.

“Kjo është një mënyrë poshtëruese, që vetëm për profitin dhe përqindjen që duhet të marrë përmbaruesi, të lihen fëmijët në vuajtje. Për një vit të tërë llogaria e saj është bllokuar, ka një vit ajo nuk mund t’u japë as edhe një denar fëmijëve të pafajshëm. Ku është respekti për dinjitetin e këtyre fëmijëve?”, pyet Avokati i popoullit duke shtuar se përmbaruesi nuk mund të mos dijë se nga i vinë kujdestares paratë e llogarisë, e ndërkohë këtë gjë ta dijë Drejtoria për të ardhura publike dhe banka.

 

Nga vërejtja e Avokatit të popullit Ixhet Memeti drejt përmbaruesit Gordan Stankoviq (Foto: Dokumente nga rasti i Ombudsmanit)

“Edhe pse ai është me origjinë nga Serbia, kur ia tregova përbaruesit Vendimin nga Fondi për sigurim të pensionit nga Sebia në serbisht, më tha: “Unë këtë s’e kuptoj fare” dhe ma hodhi mbrapsht. Kërkonte t’ia përktheja nga sebishtja në maqedonisht. Ia dhashë vendimin original të pensionit familjar, e ai më kërkonte vërtetim për të. Nuk kam mjete finansiare që për momentin të shkoj në Beograd. E nuk e di se ku të shkoj e se kush do të më garantojë se menjëherë do të më japin një vërtetim të tillë. Përmbaruesi kërkon prej meje gjëra të pamundura në mënyrë që të vazhdojë t’ua marrë pensionin nipërve çdo muaj, pension për për cilin, sigurisht, ai merr një përqindje për shërbim bankar”, shpjegon kujdestarja.

Avokati i popullit thotë se do të përpiqet që nëpërmjet qendrës për punë sociale, me ndihmën e qendrës serbe për punë sociale t’ia sigurojë vërtetimin nga Beogradi që vërteton se 225 eurot që vijnë çdo muaj në llogarinë e saj nuk janë të sajat, por janë të nipërve nga motra e saj e ndjerë, për të cilët ajo në vitin 2013, si i afërmi i vetëm i tyre mori kujdestarinë.

Kujdestarja ka dërguar kërkesë te Oda e përmbaruesve të Maqedonisë për përgjegjësi disiplinore kundër përmbaruesit Gordan Stankoviq, pasi i ka lënë fëmijët e motrës së saj të ndjerë pa të ardhura. Oda ka vendosur se nuk ka bazë që ajo të vendosë për të ardhurat nga pensioni familjar i të miturve pa prindër dhe e ka drejtuar që të ankohet te Gjykata administrative. (Foto: Dokument i rastit të Ombudsmanit)

Vërshimet e vjetshme pothuajse e kanë shkatëruar krejtësisht shtëpinë e saj në Çento. Kujdestarja e dy fëmijëve jetimë nga Sebia thotë se shtëpia akoma nuk është riparuar.

“Më kot kemi shkuar për të bërë lloj lloj paraqitjesh me tim shoq. Asnjë komision nuk erdhi të shikonte dëmin e madh material. Të paktën të na jepnin para për lyerje. Asnjë denar nuk na dha shteti. Kurse tani na kthyen përgjigje: Rasti për kërkim të dëmshpërblimit ka skaduar”, tha kujdestarja me llogarinë e bllokuar.

Ajo di zanatin e rrobaqepësisë dhe me vetëpunësim do të hapë dyqan.

“Kemi nevojë të domosdoshme për të holla për momentin, pasi me dy vajzat tona si dhe kushurinjtë e tyre që janë nën kujdestarinë time po mbahemi me pensionin e tim shoqi. Shtëpia akoma nuk është riparuar nga vërshimet, por nuk është vetëm ajo që kërkon mirëmbajtje. Herë pas here mirëmbaj sa të mundem edhe shtëpinë e motrës dhe burrit të motrës, që nipërit e mi të cilët tani për tani qëndrojnë te unë, të mund të kthehen në shtëpine e tyre kur të duan. Si kujdestare e tyre, nuk mund të lejoj që shtëpia e tyre të përmbyset, pasi nuk kam të holla që t’u ndërtoj një të re”, thotë kujdestarja.

Gjykata themelore Shkupi 2 e ka pranuar kërkesën e saj për t’u rishikuar vendimi i përmbaruesit për bllokimin e llogarisë së saj. Por më 26 tetor ka mbërritur lajmërimi nga Gjykata civile e cila e largon rastin nga vetja dhe e drejton kujdestaren drejt Odës së përmbaruesve dhe Ministrisë së Drejtësisë, ku veçmë ishte drejtuar dhe nga ku i kishin thënë të drejtohej në Gjykatën themelore Shkupi 2.

“Kjo është vjedhje, plaçkitje e qytetarëve, e fëmijëve të pafajshëm. Unë nuk e di edhe sa kam borxh, përmbaruesi asnjëherë nuk më ka informuar gjatë këtij viti, që kur m’u bllokua llogaria se sa mjete të kredisë kam kthyer”, thotë e dëshpëruar gruaja e cila nuk do më t’i drejtohet Odës dhe Ministrisë së drejtësisë, nga ku një herë veçmë e kishin drejtuar drejt Gjykatës themelore Shkupi 2.
S.K. DELEVSKA

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови и фотографии) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира