Në redaksinë e SAKAMDAKAZAM.MK kanë mbërritur ankesa masive të kandidatëve në lidhje me dhënien e provimit për vozitje, si pasojë e hulumtimit të javës së kaluar nëse kandidatët janë të këqij apo komisionet e provimeve i rrëzojnë ata qëllimisht. Bëhet fjalë për persona që kanë rënë nga provimi deri nëntë herë.
Secili me shembullin e tij personal të shpjeguar në mënyrë të detajuar, vënë në dukje shfrytëzimin nga anëtarët e komisioneve të provimit dhe shumica prej tyre konsiderojnë se arsyeja është joprofesionalizmi dhe korrupsioni i komisioneve.
Nga ana tjetër, ka nga ata (ish-kandidatë dhe aktualë) që pranojnë gabimet e tyre dhe i përshkruajnë me saktësi, ndaj arsyetojnë dhe faktin e rrëzimit nga provimi. Një kandidat që kishte rënë tri herë në qytet, apelon se sa më shumë të mos vihen re gabimet e kandidatëve nga ana e komisionit, aq më e madhe do të jetë mundësia e aksidenteve rrugore, të lënduarve apo edhe jetëve të humbura.
Por, ajo që është e përbashkët madje edhe për ata që kanë kaluar provimin për herë të parë, është si më poshtë:
“Numri i pamjaftueshëm i orëve me instruktor në autoshkolla, instruktorë joprofesionistë dhe arrogantë”.
Në kategorinë e tretë ndodhen vozitësit aktualë, gjegjësisht kandidatët për shoferë, të cilët përshkruajnë gabimet kryesore që kanë bërë, për shkak të të cilave nuk kanë mundur të kalojnë me sukses, por edhe akuzojnë komisionin për ryshfet.
Nga sa kemi hulumtuar, pothuajse nuk ka asnjë person që njeh një kandidat që ka kaluar për herë të parë.
“Provimin e qytetit e kalova me herën e pestë. U këputa duke dhënë para. Komunikacioni në Shkup është i tmerrshëm, shoferët janë të padurueshëm, ndërsa komisioni i provimeve më shikonte me përbuzje. Më detyruan të futen në provim në ditë pazari, imagjinoni. Pleq e plaka që nuk kanë durim për të kaluar rrugën, kamionë që shkarkojnë mallra, rrugë që riparohen dhe unë që kam provim…Tmerr! Një vajzë nga Shkupi ankohet: “Si bëhet për t’ia kaluar me herën e parë?”
Një tjetër shkupjan, i cili gjithashtu nuk u prezantua, kishte kaluar provimin e qytetit për herë të katërt, dhe shprehet i vetëdijshëm se vetë kishte bërë shumë gabime. Ndër to, nuk ishte ndalë para shenjës “stop”.
“Më kanë ndalur në mes të provimit, se do të rrezikoja dikë në komunikacion. Nuk u ndala në shenjën “stop”. Mu fik makina. Kam paguar rreth 50 euro për çdo provim të mëpasshëm dhe për çdo orë shtesë me instruktor. “Mendoj se nëpër këto Komisione njëri është më joprofesional dhe i korruptuar se tjetri”, thotë ai.
Një grua që ka marrë patentën para 10 vitesh është ende e inatosur me autoshkollën dhe anëtarët e komisionit, pasi thotë se nuk ka marrë kurrë një përgjigje normale dhe të arsyetuar se pse e kanë rrëzuar dy herë.
“Më rrezuan në provimin e qytetit, pa asnjë arsye. E kalova me të tretën. Herën e parë paskam nguruar shumë, kurse herën e dytë paskam pasur vetbesim të trepruar. Vallë, është kjo një përgjigje apo shfrytëzim dhe mbushje e arkës së autoshkollës dhe komisionit? “Vozitja gjatë provimit duhet të incizohet dhe pasi të jetë parë mirë incizimi, të shqyrtohen me kujdes gabimet”, sugjeroi kjo zonjë.
Ajo e kujton edhe sot instruktorin, e thotë, “nuk më mësoi si të bëhesha shofere, por më humbiste kohën duke më mësuar truke për të kaluar provimin”.
Sasho nga Kavadari thotë se ka dështuar tri herë në teste, por e pranon se ka shkuar i papërgatitur për provim.
Jovani nga Shkupi ndërlidhet me të dhe thotë: “Provimin e qytetit e kalova me të dytën. Anëtarët e komisionit kishin të drejtë, nuk kisha pasur vëmendjen te këmbësori që po kalonte rrugën”.
Një grua nga Gjevgjelia e cila ka marrë patentën e shoferit në vitin 2013, por edhe ajo e ka dhënë provimin herën e dytë, tregon për sjelljet arrogante dhe të palejueshme të anëtarëve të komisionit.
“Komisioni që më rrëzoi nuk më dha përgjigje argumentuese, por më tha: “Duhet të përmirësohesh edhe pak”. Personalisht nuk e di se çfarë kam përmirësuar herën e dytë. Sinqerisht dyshoj për korrupsionin e këtij komision. “Objektiviteti do të jetë i vështirë për t’u arritur, por të paktën të bëhet diçka që të mos jenë kaq të shtrenjta pagesat e orëve dhe provimeve plotësuese”, shprehet bashkëbiseduesja.
Një qytetar i Shkupit, për shembull, e ka dhënë provimin për të shtatën herë dhe me çdo pagesë të radhës për dhënien e provimit dhe për orë shtesë me instruktor, thotë se ka paguar gjithsej 1200 euro. Kërkon që në çdo provim të radhës të ndryshohet komisioni i provimit dhe të përbëhet nga anëtarë të komisioneve të ndryshme.
Një vajzë nga Shkupi thotë se është futur disa herë në provimin e qytetit dhe është e bindur se përveç të parës, të gjitha herët e tjera është rrëzuar pa bazë.
“Si arsye u thanë këto gjëra: “nuk niset në jeshile, nuk merr këndin e duhur në kthesë, nuk ndalet në vijat e këmbësorëve…”edhe pse asgjë e këtillë nuk ka ndodhur në të vërtetë. Anëtari i komisionit që ishte ulur pranë meje frenonte në kryqëzime, duke bërë dukshëm një lojë para kamerës, a thua se unë kisha gabuar, gjë nuk ishte fare e vërtetë. Kam qenë dëshmitare e shumë kandidatëve që të përlotur kanë rënë edhe nga 6-7 herë, duke mos ditur se çfarë të bëjnë. Herën e tretë madje më ndryshuan dhe zonën, e kështu provimi më zgjati 50 minuta. Kjo është me të vërtetë shfrytëzim”, rrëfen vajza për eksperiencën e saj.
Një lexues anonim reagon: “Asnjëherë nuk futen në provim në orarin e caktuar, presin me orë të tëra në diell apo në të ftohtë, vërtetë nuk e di se pse e bëjnë këtë gjë. Përse ekzistojnë oraret, atëherë? Për këtë provim mua nuk më takon ditë të lirë nga puna. Është humbje kohe, thjesht sepse dikush tregohet joprofesional”.
Kristijani nga Shkupi, i cili e ka kaluar provimin me herën e katërt, e ka paraqitur komisionin e provimeve për shkak të vlerësimit jo objektiv dhe joprofesionalizmit.
“Paraqitja e tyre është e kotë, sepse ju shkon përsëri atyre. Kadiu të padit, kadiu të gjykon. Pavarësisht se do t’i paraqisja, atyre nuk iu ndryshonte asgjë”, tha Kristijani.
Angja, e cila ka dhënë provimin në vitin 2019 pas disa tentativave të pasuksesshme, ka ngritur parashtresë kundër anëtarëve të komisionit te po ky komision, pasi për fat të keq, i këtillë është ligji. Drejtori i qendrës së provimeve e ka bindur të tërhiqet, në këmbim të notës kaluese.
“Gjithmonë më vinin në një situatë testimi me anë të të cilës do t’i siguronin argumentet e duhura për të më rrëzuar. Ky ishte qëllimi i tyre, jo të përcaktonin nëse dhe sa dija të ngas makinën. Çdo test më kushtonte 100 deri në 150 euro, bashkë me orët shtesë që duhej të merrja si dhe për qiranë e makinës. “U binda se rrëzimet e shpeshta nga provimi, e sidomos nga provimi i qytetit, bazohen në korrupsion, pasi pas një parashtrese dhe bisede me drejtorin, u detyrova ta tërheq parashtresën, në shkëmbim të çkaje do të më mundësonte kalimin e provimit radhën e ardhshme”, thotë Angja, e cila konsideron se qendrat e provimit janë “një bandë shumë e shkathët e cila di shumë mirë se si t’i shfrytëzojë emocionet dhe stresin e kandidatëve”.
Kandidatët e pakënaqur nga rezultatet e testit me shkrim apo të provimeve të poligonit apo qytetit, kanë afat prej 24 orëve, vetëm 24, për të ngritur parashtresë drejt qendrës së provimeve. Ndërsa Qendra ka për detyrë ta lajmërojë Ministrinë e punëve të brendshme. Zyrtarët në MPB nga sektori i komunikacionit shqyrtojnë parashtresën dhe japim mendimin përfundimtar. Qendra e provimeve është e detyruar ta respektojë këtë vendim, thonë nga MPB.
Mirëpo Elena nga Shkupi na flet për të drejtën e pakontestueshme të komisioneve të provimit për të manipuluar me kandidatin në një mënyrë kaq të sofistikuar sa që do të “kishin dalë fitimtarë” kundër çdo lloj parashtrese të ngritur kundër tyre.
“Herën e parë kisha faj vetë, e di gabimin. Por dy herët e ardhshme Komisioni më dha komandën që të marr njërën prej anëve të rrugës ku po vizisja dhe menjëherë pas kësaj komentuan se si makina pas meje qenka shumë afër, por kjo nuk ishte e vërtetë. Thjesht, ata japin instruksione në mënyrë që tillë që të të japin vërejtje më pas, a thua se ke bërë diçka gabim. Nevojiten ndryshime sistematike: në organizimin e punës së autoshkollave, që të dihet se kush dhe në ç’mënyre mund të bëhet instruktor. E pastaj, të përcaktohen rrugët e mbajtjes së provimeve. (Jo)kultura e komunikacionit te ne është diçka që e vështirëson shumë procesin dhe nevojitet të gjenden zgjidhje konkrete për të përmisuar këtë gjendje”, shprehet Elena.
Ajo ankohet për automjetet me defekt të autoshkollave.
“Kam pasur eksperiencën që një ditë para provimit, gjatë orës së vozitjes të prishen frenat e makinës para një semafori. Reagimi i menjëhershëm i instruktorit parandaloi një katastrofë, por kjo traumë e shtoi edhe më shumë stresin e provimit. Instruktorët duhet të jenë mbi të gjitha pedagogë. Kam pasur dy eksperienca krejtësisht të ndryshme nga dy instruktorë me qasje të ndryshme, por që të dyja të këqija”, thotë ajo.
Kiko nga Shkupi dha provimin e kategorisë B në vitin 2017, për herë të katërt. Ai thekson se ndonëse ka pasur arsye për të rënë, asi kurrë nuk ka marrë një shpjegim nga anëtarët e komisionit. Për më tepër, thotë ai, gabimet që i sheh komisioni nuk korrespondojnë me pikët negative. Kiko ka paguar tri herë rreth 2500 denarë, sepse nuk ka mbajtur mësime shtesë. Dyshon për korrupsion në autoshkollat dhe komisionin e provimeve. Nëse ke lidhje, thotë se do të kalosh më lehtë.
Romina nga Dellçeva, e cila ka dhënë provimin për kategorinë B në vitin 2019, ankohet për instruktorin e korruptuar, duke u bazuar te ajo çka ka dëgjuar nga ana e tij gjatë kohës së mësimeve.
“Instruktori nuk ishte i interesuar për trajnimin tim të duhur dhe përvetësimin e aftësive të nevojshme, shumicën e kohës e kalonte në telefon për biseda private apo negociata me kandidatët për të korruptuar komisionin. Ai kishte një qasje të papërshtatshme dhe të keqe posaçërisht me mua, sepse unë nuk kisha përvojë dhe kisha shumë frikë nga vozitja. “E kuptova që nëse nuk jep ryshfet, nuk mund të kalosh më herët se sa hera e tretë”, thotë Romina.
Nga ana tjetër, Eleonora thotë se instruktori i ka shkurtuar orët e mësimit duke e detyruar ta çojë nëpër dyqane që të bënte pazar për në shtëpi.
Igori nga Tetova, i cili kaloi për herë të dytë kategorinë C, tha se do ta kishte dhënë me të parën, sepse nuk kishte pasur asnjë gabim, por që në fillim të provimit i kanë kërkuar 500 euro.
“Herën e dytë kalova me lidhje, edhe pse kisha një gabim. “Unë nuk dyshoj, por jam i sigurt që në komisionin e Tetovës ka korrupsion”, tha ai.
Zuleiha dhe Gabriella mendojnë po njëlloj. Komisioni i provimeve të Tetovës, gjatë marrjes së kategorisë B, e ka pyetur Gabriellën nëse dëshiron të paguajë 300 euro për të kaluar provimin nga hera e parë.
“Nuk ekziston vlerësim objektiv gjatë dhënies së provimit për shofer. “Vetëm këmbëngulje, për të kaluar për herë të tretë apo të katërt”, dëshmoi Gabriela.
S. K. DELEVSKA