Problemi me ujin për pirje në Tetovë është problem që prej dekadash. Edhe pse qyteti ndodhet nën Malin e Sharrit, një nga malet më të pasura me ujë, çezmat e tharra dhe restrikcionet shumëorëshe, janë përditshmëri e tetovarëve në pjesën më të madhe të vitit. Deri tani nuk është bërë ndonjë analizë profesionale se përse në qytet paraqitet mungesa e ujit për pirje, por, ata që janë njohës të mirë të kësaj problematike, thonë se problemet kryesore janë këto: zgjerimi i shpejtë dhe pa plan i qytetit, rrjeti i vjetërsuar i ujësjellësit, ndërsa kyçjet e paligjshme dhe harxhimi joracional i ujit, vetëm sa e përkeqësojnë situatën edhe më shumë.
Me reduktimin e ujit për pirje në Tetovë, lidhet dhe një fenomen i pazakontë. Uji i burimeve që e furnizojnë qytetin vjen nga shkrirja e borës së Sharrit. Sasia e burimeve fillon dhe rritet nga fundi i prillit, kurse në qershor dhe korrik arrin deri 550 litra ujë në sekondë, që është absolutisht e mjaftueshme për përmbushjen e nevojave të banorëve të qytetit. Nga mesi i qershorit, sasia e ujit fillon ngadalë të bie. Periudha më kritike është gjatë muajve të dimrit, kur rrjedhja e ujit bie në 200 deri në 250 litra në sekondë, dhe si pasojë, vendosen restrikcione më të gjata. Kjo gjendje bëri që të kërkohen burime të reja të ujit për pirje, që të përmbushen nevojat e qytetit. Kështu, para njëmbëdhjetë vjetëve filloi ndërtimi i ujësjellësit të ri, me ujërat nga rrjedha e sipërme e lumit Pena, nëpërmjet së cilës planifikohej që qyteti të fitojë 250 litra në sekondë shtesë edhe gjatë periudhës më kritike të vitit.
Ndërtimi i këtij ujësjellësi u shoqërua me shumë kontroverzë. U morën kredi, edhe shteti jepte mjete, komuna hynte në borxh dhe shiste pronën e vet, por ndërtimi i ujësjellësit asesi të mbarojë. Në mbledhjet e Këshillit të komunës së Tetovës, viteve të fundit, disa herë është kërkuar të bëhet e ditur se sa para janë harxhuar deri tani për ndërtimin e ujësjellësit, por një informatë e tillë akoma nuk ekziston. Jozyrtarisht, vlerësohet se janë shpenzuar 10 milionë euro.
Ndërtimi i ujësjellësit ishte edhe një nga premtimet parazgjedhore të çdonjërit prej kandidatëve për kryetar të Tetovës. Në kohën e kryetarit të kaluar të Teotvës, Sadi Bexheti, më në fund u ndërtua ujëmbledhësi në rrjedhën e sipërme të lumit Pena dhe në pjesën me të madhe të tubacionit. Edhe pse ai paralamjëronte se ujësjellësi së shpjeti do të ishte gati, në vjeshtën e vitit 2013, kjo nuk ndodhi.
Kryetarja aktuale e Tetovës, Teuta Arifi, poashtu, si një nga premtimet e saja parazgjedhore, kishte ndërtimin e ujësjellësit. Mirëpo, doli që, tubat që tashmë ishin montuar nuk janë përputhur me specifikimet e kërkuara, dhe përgjatë gjithë linjës së ujësjellësit, nga ujëmbledhësi deri tek rezervoaret në qytet, në një gjatësi prej 8 kilometrash, ka pasur nevojë të hiqen tubat dhe të vihen të rinj. Ështe interesant fakti që tani, ujësjellësin po e ndërton firma e njejtë që e ndërtonte gjatë kohës së kryetarit Sadi Bexheti, kur ishin të vendosura tubat joadekuatë.
Punimet e këtilla plotësuese nënkuptojnë borxhe të reja bankare, dotacione të reja nga shteti, po edhe çmim të ri të ujit për pirje, të cilin qytetarët e Tetovës tani e paguajnë 50 % më shtenjtë. Kur, pas disa prolongimeve, tubacioni më në fund u përfundua, tetovarët akoma nuk arrinin ti shfrytëzojnë sasitë shtesë sepse duhej të ndërtohej edhe një stacion pastrues për ujin. Tani për tani, është vendosur vetëm një gur themel dhe nuk dihet se kur do të përfundojë ndërtimi i tij.
Sikur nuk mjaftonin problemet me ujin e pirjes, këto ditë u shtua edhe një tjetër. Tri herë me radhë gjatë muajit, erdhi deri tek ndotja e ujit për pirje nga ujësjellësi i qytetit. Ndotja ishte shkaktuar nga punajoprofesionale ndërtimtare që bëhet në Kodrën e Diellit, në afërsi të një nga burimet, prej ku qyteti furnizohet me ujë për pirje. Nga Qendra rekomandojnë që, edhe pse analizat fiziko-kimike të ujit janë korrekte, deerisa të kryhet edhe analiza bakteriologjike, uji për pirje duhet të zihet para përdorjes.
Nga Qendra e Shëndetit Publik në Tetovë thonë se, sipas analizave, uji që pijnë tetovarët është një nga më cilësorët e Maqedonisë, por çfarë vlere ka kjo kur nuk është i mjaftueshëm dhe kur dikush tashmë njëmbëdhjet vjet e ndotë.
Zoran Andonov
Përktheu: Fjolla Zllatku