Në Tetovë filloi sezoni i nxemjes, duke rritur në mënyrë të theksuar përqëndrimin e grimcave PM-10, e tetovarët sërish filluan të thithin ajër të ndotur. Sipas të dhënave të publikuara në faqen e internetit të Ministrisë së mjedisit, në Tetovë gjatë pesë ditëve të fundit është vënë re kapërcimi i kufirit të lejuar prej 50 mikrogramë të grimcave PM-10 për metër kub. Të shtunën, përqëndrimi i këtyre materieve të dëmshme në ajër ishte 110, 7 mikrogramë për metër kub, dy herë më tepër se sa masa e lejuar.
“Sezoni i nxemjes filloi duke rritur përqëndrimin e grimcave PM-10 në ajër. Kjo mund ta përkeqësojë gjendjen pasi koronavirusi do të “varet” te grimcat PM-10, sidomos te PM-2,5, dhe do të qëndrojë në ajër më shumë se zakonisht. Kemi të bëjmë me një kombinim të keq pasi PM-10 janë grimca fluturuese, dhe kur kombinohen me temperaturën e ulët dhe nivelin e ulët të lagështisë së ajrit shkaktohet efekti i padëshiruar i “stuhisë perfekte”, thotë dr. Ratko Davidovski, specialist i ekologjisë shëndetësore në Qendrën e shëndetit publik të Tetovës.
Sipas raporteve të publikuara nga Ministria e mjedisit jetësor, në fillim të vitit 2020 ka pasur 77 ditë kur është tejkaluar vlera kufitare prej 50 mikrogramësh për metër kub, që është dy herë më tepër se 35 ditët e lejuara gjatë një viti kalendarik.
Në 2019 në Tetovë ka pasur 88 ditë të pastra, për 120 ditë ajri ka qenë i ndotur mbi kufirin e lejuar, kurse për 157 ditë nuk ka pasur të dhëna.
Z. ANDONOV