Nën sloganet “Na i ktheni trotuaret” dhe “Shëndetin para profitit”, banorët e lagjes së Shkupit, Debar Maallo sonte protestuan me kërkesë drejt Komunës Qendër dhe Qytetit të Shkupit që të ndryshohen ligjet aktuale në mënyrë që të mbrohen këmbësorët, në veçanti fëmijët, nga rreziku i shkaktuar nga trotuaret e zëna nga makina dhe kafe, nga komunikacioni i paorganizuar dhe ndërtimet jashtë kontrollit.
Protesta u mbajt pranë SHF “Kole Nedellkovski”, ku javën e kaluar humbi jetën një shkupjane e cila ecte në rrugë, pasi trotuaret janë vazhdimisht të zëna nga veturat, kurse furgoni i cili e shkeli për vdekje lëviste në rikverc pasi nuk kishte mjaft hapësirë dhe për shkak se shkarkimet e mallit kryhen në orët më dinamike të ditës.
“Shpejtësia, edhe pse formalisht e kufizuar, nuk sanksionohet nga askush, zhurma i tejkalon të gjithë kufijtë, aktivitetet ndërtimore vazhdojnë pavarësisht faktit se qytetarët iu kundërvunë sugjerimit të Planit të detajuar urbanistik. Edhe pse kryetari i Qendrës dhe Komunës janë të detyruar me ligj që t’iu përgjigjen anketave të PDU-së, kryetari Andrej Zhernovski dhe Komuna e shkelën ligjin dhe vazhdojnë të refuzojnë t’u përgjigjen mbi 400 vërejtjeve të anketuara nga qytetarët”, thotë organizatori i protestës, iniciativa e qytetarëve “Në mbrojtje të Debar Maallos” duke theksuar se “për më shumë se dy vjet paralajmëron mbi këtë rrezik dhe se kërkon nga kryetari i Qendrës Andrej Zhernovski dhe kryetari i Shkupit Koce Trajanovski, si dhe këshilltarët e qytetit dhe të komunës si dhe shërbimet profesionale, Parkinzi dhe Policia e komunikacionit e MPB, t’i zbatojnë ligjet dhe të punojnë për mbrojtjen e interesit publik”.
Në mënyrë që të parandalohet përkeqësimi i mëtejshëm i cilësisë së jetës në Debar Maalo nga iniciativa e qytetarëve kërkojnë respektim joselektiv të ligjeve, një regjim të ri i cili do ta zvogëlojë komunikacionin, si dhe përpunim i studimeve profesionale për ndotjen, zgjidhje të komunikacionit, dendësisë së popullsisë dhe infrastrukturës dhe ndërkohë të mos jepen leje për ndërtime të reja.