Disa qindra tetovarë këtë pasdite dolën në protestë për shkak të ndezjes së deponisë së paligjshme në hyrje të qytetit. Ata e treguan revoltën e tyre para ndërtesës së Komunës së Tetovës, ku thërrisnin “Duam të marrim frymë”, “Ja ku i keni mbeturinat” dhe hidhnin qese me mbeturina, vezë në xhama dhe mbi fasadë, kurse para hyrjes së ndërtesës derdhën një kontejner të tërë. Para hyrjes së ndërtesës policia krijoi një kordon duke ua ndaluar qytetarëve të futen në ndërtesë. Megjithatë ata arritën t’i ndiznin mbeturinat e hedhura, ndërsa policia intervenoi menjëherë duke e parandaluar përhapjen e zjarrit.
Protesta filloi në sheshin e qytetit, kurse demonstruesit lëviznin përgjatë rrugëve kryesore deri te ndërtesa e Komunës së Tetovës. Kjo protestë ishte reagim spontan ndaj zjarrit të madh të mbrëmshëm në deponinë e paligjshme nga e cila dilte tym gjatë gjithë natës.
“Kryetarja Teuta Arifi ka qenë në koalicion me çdo qeveri gjatë këtyre 4 vjetëve të fundit dhe mban përgjegjësi për faktin se ky problem nuk është zgjidhur. Ky makijazh që na servojnë tani, se para zgjedhjeve do të pastrohet deponia, nuk është zgjidhje e përjetshme. Komuna mban përgjegjësi për krijimin e këtij stacioni të mbingarkuar, e cila tashmë për 13 vjet vazhdon të jetë i përkohshëm, dhe si i tillë asnjëherë nuk është siguruar me gardh dhe roje, që të mos vijë puna të digjet. Përse për 13 vjet nuk zgjidhet kjo çështje? Pse, si fëmijët tanë ashtu edhe fëmijët e këshilltarëve të komunës dhe të kryetarit të Këshillit apo të kryetares Arifi, mbrëmë kanë thithur këtë ajër të ndotur?, pyesnin demonstruesit.
Pas rreth një ore, demonstruesit u shpërndanë në qetësi dhe lajmëruaran do të organizohen edhe herë të tjera që kjo protestë të vazhdojë edhe ditët në vijim.
Shum shpejtë pas protestave, konferencë shtypi mbajti edhe kryetarja Teuta Arifi. Ajo vazhdon të mbajë qëndrimin se ndezja e deponisë është kryer nga struktura politike.
“Është shumë simptomatik rasti që, pasi i bëmë të gjitha hapat për rregullimin e situatës së stacionit të mbingarkuar dhe lajmëruam se që nga java e ardhme do të fillojë pastrimi i saj, kemi një situatë të tillë si ajo e mbrëmshmja. Kjo gjë vërteton edhe për njëherë indikacionet se organet duhet të angazhohen dhe t’i gjejnë përgjegjësit e kësaj pune”, deklaroi Arifi. Ndaj pyetjes nëse protesta e sotme para ndërtesës së komunës është pjesë e asaj politike, Arifi vetëm komentoi shkurtimisht “Mendoj se dukej fiks ashtu”.
Mbrëmë rreth orës 18 në vendin e ndezjes së deponisë së paligjshme, kryen këqyrje Prokurori publik i Prokurorisë së Tetovës dhe ekipi i policisë së Tetovës. Tani për tani, as nga Prokuroria e as nga policia e Tetovës nuk kanë lajmëruar mbi detaje për arsyet e zjarrit dhe nëse me të vërtetë ka pasur gjurmë se ai është ndezur qëllimisht
Z. ANDONOV