Ishujt e ri të zgjeruar si rripa kallami që u shfaqën në liqenin e Prespës me anë të tërheqjes së ujit janë një parajsë e vërtetë për shpezët. Në këtë periudhë të vitit, kur edhe turistët janë larguar, ato e sunduan krejtësisht liqenin. Një tufë shpezësh të llojeve të ndryshme fluturojnë mbi liqen dhe pushtojnë në ishujt e dheut dhe gurëve që janë ngritur mbi ujë për shkak të niveli të ulët.
Banorët e Prespës shpjegojnë se si numri i shpezëve është në rritje e sipër gjatë viteve të fundit.
“Ato gjetën një prehje në këto vende që u shfaqën me tërheqjen e ujit. Por është fakt se liqeni, pavarësisht gjendjes momentale, është i pasur me peshq dhe se zogjtë kanë me se të ushqehen. Ato u ndihmojnë peshkatarëve që të mbërrijnë më shpejt deri te peshqit. Ne dallojmë se ku ka peshq në bazë të vendeve ku grumbullohen tufa shpezësh”, thotë Mile Jovanovski nga Prespa.
Në Prespë ka rreth 216 lloje të ndryshme të shpezëve me lokacion në Parkun e natyrës Ezerani dhe Liqenin e Prespës apo 66 përqind nga numri total i shpezëve në shtet. Nga ana tjetër, ky numër përbën 42% të popullatës së shpezëve në Evropë.
“Ne jemi bërë miq me shpezët. Beteja me liqenin ndonjëherë është shumë e vështirë. Ndërkohë që lundrojmë në mesin e liqenit, shoqërueset e vetme janë këto shpezë”, thonë peshkatarët.
Shoqata ekologjike e Maqedonisë, në suaza të Projektit për mbrojtje të rrugëve fluturuese të shpezëve ujore, në nëntor të vitit 2013 në Liqenin e Prespës numëruan 24.450 zogj të 18 llojeve të ndryshme të shpezëve ujore. Një numër i madh prej tyre ishin zhytës të vegjël qafëkuq, pulëbardha të liqenit me këmbë të verdha dhe disa lloje patash dhe vetëm disa pelikanë dhe pulë me këmbë jeshile.
Mbreti i këtyre zonave ujore, pelikani dalmatin, sipas hulumtimeve ekologjike jeton në fole dhe shumohet në territorin e Liqenit të Prespës. Është vlerësuar se nga ky lloj i pelikanit ka vetëm 1.600.
Rritja e popullsisë së shpezëve, sipas kryesuesit të Sektorit për mjedis jetësor në Komunën e Resnjës Ajman Al Malla, është pasojë e faktit se ndalon trendi i degradimit të Liqenit të Prespës, dalë nga dalë po përpiqen të rinovojnë funksionet e tija natyrale, ndërkohë që është vënë re dhe një përmirësim në cilësinë e ujit. Matjet tregojnë një zvogëlim të nivelit të përqendrimit të fosforit dhe azotit si dhe një rritje të oksigjenit të tretur dhe transparencës së ujit.
“Zbulimet më të fundit tregojnë një situatë shumë më të favorshme edhe për popullsinë e peshqve, me anë të rritjes së peshqve autoktonë në vend të atyre alohtonë, të cilët pas disa vjetësh ishin shumë më shumë se autoktonët. Sipas personave profesionistë, një meritë të madhe për këtë gjë kanë masat e zbatuara në rinovimin e kushteve natyrale për jetë në liqen”, thotë All Malla.
Nëpërmjet disa projekteve që janë zbatuar gjatë 15 vjetëve të fundit janë investuar 15 milionë dollarë, një pjesë e madhe e të cilave të marra nga Agjencia zvicerane për zhvillim dhe bashkëpunim, pjesë e Fondit global të mjedisit jetësore, UNDP dhe burime të tjera për mbrojtje të liqenit.
ZH. ZDRAVKOVSKA