Në Maqedoni po bëhen tentime që të kultivohet stevia, një bimë e cila në qoftë se përpunohet mund të përdoret si ëmbëlsues natyral ushqimor. Tetë bujq nga krahina të ndryshme të Maqedonisë gjatë kësaj pranvere kanë mbjellë nga një dekar, kurse gjatë këtyre ditëve pritet që të kryejnë dhe korjen e pjesës së parë të stevias. Ky kultivim është një provë që po implementohet nga një projekt i Ministrisë së agrikulturës të financuar nga BE.
“Duke i pasur parasysh kushtet klimatike dhe dheun e Maqedonisë, nga shumë prodhime që mund të jenë një zëvendësim i duhanit, kemi kërkuar ato më të përafërtat, me synimin që kultivuesit të mos kenë problem në blerjen e mekanizmit dhe të mund ta përpunojnë atë me mekanizimin që tashmë posedojnë. Stevia është një bimë e re në krahinën e Maqedonisë, dhe kultivimi i saj nuk është i organizuar”, thotë Zllatko Arsov, profesor i rregullt i fakultetit të Bujqësisë në Katedrën për bujqësi dhe duhan, i cili është i përfshirë në këtë projekt.
Në projekt janë përfshirë 35 bujq, të përzgjedhur sipas shpalljes ku janë paraqitur 80 të interesuar, të gjithë me nga një dekar me prodhim të ndryshëm. Disa me lulekuqe, të tjerë me koriandër dhe me anason. Në Prilep dhe Radovish ka tetë bujq që kultivojnë stevia, në rajonin e Velesit dhe në Vranovcin dhe Ivankovcin e poshtëm – dy.
“Ky është viti i parë dhe ne vazhdojmë të mësojmë. Fidanët na janë sjellë nga Spanja dhe i kemi mbjellë me makineri. Kemi një makinë për duhan e cila na doli mjaft e dobishme. Kishin nevojë për ujitje dhe kur u rritën për 35 centimetra në lartësi, ua preva majat sepse filluan të zgjeroheshin shumë. Të gjithë këtë e kemi bërë dhe tani jemi në prag të korrjes, por e zgjatëm për shkak të motit të mirë. Do të shohim se si do të reagojë rrënja këtë dimër në temperaturat e ulëta, pasi në Spanjë na thanë se në – 5 shkallë mund të ngrijë. Sivjet kemi thatësirë të madhe, kështu që nuk e di se si do të reagojë stevia, pasi ajo ka nevojë për ujë”, thotë Zoran Naçevski, bujk nga Vranovca e poshtme, i cili kultivon tërfil, elb dhe grur.
Në suaza të trajnimit ai ka shkuar në një seminar në Spanjë për të parë në praktikë se si bëhet kultivimi, përpunimi dhe tharja e stevias. Aty janë takuar me një avokat dhe ish-kultivues, i cili ka pasur një plantacion prej 350 dekarësh dhe më parë nuk ka pasur lidhje me bujqësinë. Me kultivimin e stevias ka filluar që kur i ka rënë sëmundja e diabetit, si një shërim për këtë sëmundje dhe kështu ka lënë profesionin e avokaturës.
Stevia është një prodhim shumë i shtrenjtë në tregun botëror, kurse në farmacitë shtëpiake çmimi i paketimit qindgramësh është nga 250 deri në 500 denarë. Prodhuesit më të mëdhenj të botës janë India, Kina dhe Pakistani.
Gjethet e stevias përdoren si ëmbëlsues i pijeve dhe prodhimeve ushqimore. Është një ëmbëlsues krejtësisht natyral pa kalori. U rekomandohet të gjithë diabetikëve si zëvendësim i sheqerit. Glikozidet e stevias zvogëlojnë ndjenjën e urisë duke ndikuar në këtë mënyrë në rregullimin e masës trupore.
P. PEÇKOV