Ministria e shëndetësisë qe tre vjet e zvarrit zbatimin e Ligjit për ekzekutimin e sanksioneve, ndryshimet e të cilit është dashur të zbatohen në vitin 2013, 30 sitë pas sjelljes së tyre. Sipas Ligjit, mbrojtja shëndetësore në burgje duhet të kalojë nën kompetencat e Ministrisë së shëndetësisë, më saktë, nën shëndetin publik, i cili duhet të sigurojë nivel primar të mbrojtjes shëndetësore.
Pas vdekjes së dy të burgosurve brenda një jave, Avokati i Popullit, Ixhet Memeti, ritheksoi se është viti i tretë me radhë që nuk zbatohen ndryshimet e reja ligjore dhe se ky fakt po paguhet me jetën e njerëzve.
Ministria e shëndetësisë thotë që procedura për marrjen ambulancave të burgut është duke u zhvilluar dhe se pritet që të mbarojë maksimum deri në fillimin e vitit të ardhshëm.
“Në segmentin e transferimit të kompetencave te institucionet publike shëndetësore, bëhet fjalë për çështje organizative, për të cilën po zhvillohet një procedurë e tërë. Që të kompletohej procedura, më parë nevojitej që të ndryshoheshin të gjitha statutet e institucioneve shëndetësore ku gjenden ente ndëshkuese përmirësuese. Bëhet fjalë për një procedurë komplekse, e cila shqyrtohet dhe miratohet nga Ministria jonë. Në bazë të kësaj procedure, përgatitet një sistematizim i ri, me pajtimin e Ministrisë së shoqërisë informatike”, thonë nga Ministria e shëndetësisë.
Nga Ministria e shëndetësisë thonë poashtu që kanë bërë analizë të numrit të personelit mjekësor në institucionet ndëshkuese- përmirësuese, por nuk kanë dhënë përgjigje për sa i përket numrit të mjekëve dhe të motrave medicinale që për momentin punojnë në burgje dhe se nëse ky numër është i mjaftueshëm.
“Është kryer analizë e personelit dhe me sistematizimet e reja të miratuara, për momentin po konstatojmë se ku ka deficit dhe po merren masat e nevojshme që ai të përmbushet”, thonë nga Ministria e shëndetësisë.
Pushtetet shëndetësore theksojnë që në burgje vazhdimisht sigurohet mbrojte shëndetësore për të gjykuarit dhe se ordinancat kanë pajisje të duhur për mbrojtje primare shëndetësore.
“Nëse ka nevojë për rinovim të pajisjeve të vazhdueshme, do të bëjmë vlerësim të nevojave. Në përputhje me Ligjin për sëmundje ngjitëse, është e detyrueshme që rastet e sëmundjeve ngjitëse në burgje të paraqiten nëpërmjet qendrave të shëndetit publik. Kemi përgatitur edhe udhëzues të veçantë se si duhet të parandalohet dhe të trajtohet secila prej tyre”, thonë nga Ministria e shëndetësisë.
Nga Ministria e drejtësisë, nga Fondi për sigurim shëndetësor dhe nga Drejtoria për ekzekutimin e sanksioneve nuk kemi marrë përgjigje se pse vonon zbatimi i ligjeve.
Nga Ministria e drejtësisë, jozyrtarisht, thonë që i gjithë procesi është i penguar nga Ministria e shëndetësisë, ndërsa nga Fondi për sigurim shëndetësor jozyrtarisht, thonë që ata kanë deleguar një anëtar në komision të përbashkët, por nuk mund të thonë se pse akoma nuk ka filluar me punë.
TË BURGOSURIT DUHET TË KENË PËRKUJDESJE SHËNDETËSORE SI NË NJË SHOQËRI TË LIRË
Në Strategjinë nacionale të sistemit penitenciar 2015-2019, të publikuar në është ueb faqen e Ministrisë së drejtësisë, thuhet:
“Që të tejkalohet problemi i mbrojtjes shëndetësore të të gjykuarve dhe të personave të burgosur, siç është mungesa e personelit mjekësor me të cilin përballej sistemi i burgut, është sjellë një zgjidhje e re ligjore, me të cilën përkujdesjen shëndetësore në entet ndëshkuese dhe edukuese përmirësuese e marrin institucionet publike shëndetësore, të cilët kryejnë mbrojtje primare shëndetësore në territorin e institucionit me marrjen e hapësirës, pajisjeve dhe mjeteve të punës. Kjo zgjidhje ligjore është në përputhje me rekomandimet e rregullave evropiane të burgut, të cilat theksojnë që politika shëndetësore në burgje duhet të jetë pjesë përbërëse dhe në pajtim me politikën nacionale shëndetësore.
Në Strategjinë janë përshkruar saktësisht hapat që duhen marrë për marrjen e ambulancave të burgut nën shëndetin publik. Fillimisht duhet të formohet komision i përbëre nga përfaqësues të Drejtorisë së ekzekutimit të sanksioneve dhe të Ministrisë së shëndetësisë, kurse pastaj të integrohen dhe standarde minimale për sigurimin e mbrojtjes shëndetësore për personat e gjykuar, të ngjashme me mbrojtjen shëndetësore në një shoqëri të lirë.
Sipas strategjisë, në mënyrë që të ketë sistem të qëndrueshëm të mbrojtjes shëndetësore nevojiten ndryshime ligjore, të cilat do të rregullojnë sigurimin shëndetësor për personat e gjykuar dhe do të sigurojnë një trajtim gjithëpërfshirës mjekësor dhe psikosocial të shfrytëzuesve të drograve në burgun në Idrizovë.
Përktheu: Fjolla Zllatku