Një shkupjane ka ngritur parashtresë dhe ka fituar rastin në mënyrë shumë të shpejtë në Komisioni për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi (KPMD), që kur pronari i banesës në lagjen Vllae të Shkupit, në fillim ia la me qira banesën, e vetëm një ditë pas shpërnguljes së saj, e përzuri me argumentin: “Fqinjtë ankohen se je rome”.
Kjo qytetare, e vetme dhe me diabet, është ankuar edhe në agjencinë për patundshmëri nëpërmes së cilës e ka gjetur banesën dhe e ka lidhur marrëveshjen, por edhe nga aty i është thënë e njëjta: “Beso se njeriu ka pasur shumë presion nga komshinjtë. Nuk të duan se je rome”.
Aq urgjente ka qenë përjashtimi i gruas, saqë pronari i ka kthyer direkt shumën që ajo kishte paguar paraprakisht për qiranë mujore, duke i kthyer dyfishin (gjithsej 600 euro) për dëmshpërblim dhe plus 8.000 denarë për harxhime gjatë shpërnguljes.
“Vihet re një diskriminim interseksional në bazë të gjinisë, racës, përkatësisë në grup të margjinalizuar, përkatësisë etnike dhe gjendjes fmailjare apo martesore sa i përket strehimit dhe qasjes në të mira materiale dhe shërbime që është kryer nga ana e pronarit të banesës ndaj qiraxheshës së cenuar”, thotë KPMD në mendimin e shqiptuar të publikuar me identitet të mbrojtur.
Pronarit i sugjerohet që në të ardhmen të përmbahet nga sjellja diskriminuese gjatë lidhjes së marrëveshjes për qira të patundshmërive që janë në pronësinë e tij, pasi në të kundërt do të paraqitet në gjyqin përkatës nga ana e Komisionit.
Gruaja ka hyrë në banesë më 15 tetor dhe të nesërmen rreth orës 23 para mesnatës pronari e ka urdhëruar:
“Duhet të largohesh, fqinjtë ankohen se je rome”.
Ajo është shqetësuar:
“Nuk kam ku të shkoj. Jam me diabet. Cilat janë arsyet e kësaj që po më kërkoni?”, ka pyetur e mërzitur.
Të nesërmen te shkallët e ka takuar fqinjen e saj nga banesa 11 dhe e ka pyetur se çfarë u pengon te ajo? Pse janë ankuar te pronari i banesës? Ajo e çuditur i është përgjigjur se nuk e di se për çfarë bëhet fjalë dhe se aspak nuk i pengon prania e qiraxheshës së re.
KPMD-ja në këtë rast ka evidentuar diskriminim të vazhduar interseksional si një formë më e rëndë e diskriminimit.
S.K. DELEVSKA