Shtatë foshnje kanë lindur HIV-negative në Klinikën Gjinekologjike dhe Obstetrike në Shkup nga prindër që ishin pozitivë për virusin që çon në SIDA, në periudhën nga viti 2019 e deri më tani.
Kjo gjë ishte rezultat i zbulimit në kohë të virusit tek njëri ose të dy prindërit dhe marrja në kohë e terapisë për të mbajtur nën kontroll virusin në mënyrë që të mos sulmojë sistemin e tyre imunitar. Vetëm falë kësaj, ata lindën fëmijë të shëndetshëm.
Megjithatë, suksesi i terapisë si parandalim për përhapjen e pandemisë HIV, që nga 1 janari i këtij viti është në rrezik. Shkurtimi i shpenzimeve në buxhetin e shtetit goditi pikërisht fondet për luftën kundër HIV dhe SIDA.
Testimi dhe këshillimi për HIV që ofrohen si shërbime nga organizatat e shoqërisë civile janë në dispozicion dhe pa pagesë për të gjithë qytetarët, pavarësisht nëse kanë sigurim shëndetësor dhe kryesisht janë të destinuara për grupet e cenueshme të qytetarëve.
Testimi është konfidencial, i koduar dhe pa ID, dhe rezultatet janë gati për 10 minuta. Statusi i HIV mund të zbulohet gjithashtu përmes vetë-testimit, gjegjësisht me një test të shpejtë oral të HIV për përdorim në shtëpi. Ky test siguron një rezultat të shpejtë dhe të saktë në kushte diskrete – në shtëpi ose në një vend dhe kohë të zgjedhjes personale – pa përfshirë një person tjetër në procesin e testimit.
Në faqen e internetit të HERA dhe OJQ-ve që e bëjnë këtë, ka edhe linqe për të porositur testet.
Maqedonia, nga një vend lider në rajon në trajtimin e HIV, nga ky vit ka vënë seriozisht në pikëpyetje përparimin kombëtar në trajtimin e HIV dhe arritjen e qëllimeve globale për t’i dhënë fund epidemisë. Deri në vitin 2025, 95% të personave me HIV duhet të jenë të vetëdijshëm për statusin e tyre pozitiv dhe të lidhen më tej me sistemin shëndetësor për të marrë terapi të rregullt, e cila është edhe parandalim. Edhe vendi ynë është i përkushtuar të punojë në programe që do të arrijnë këto synime globale dhe do të përmirësojnë shëndetin publik të qytetarëve.
Qeveria detyroi Ministrinë e Shëndetësisë që të sigurojë fondet që ishin shkurtuar, të paktën për diagnostifikimin, trajtimin dhe ndjekjen e të infektuarve me HIV. Këto janë mjete për Klinikën Infektive, jo për organizata joqeveritare.
S. K. DELEVSKA