Përgjatë tri vjetëve akoma të pambushura të ekzistencës së tij, Komisioni për mbrojtjen dhe parandalimin e diskriminimit (KMPD) erdhi deri në shkallën që të mbytet me parashtresa nga qytetarët kundër personave fizikë dhe juridikë. Ka aq pak të punësuar në këtë komision, sa që nuk guxon askush të sëmuret, e as të marrë pushim të lindjes.
Institucionet të cilat dënohen deri në 10.000 euro për kryerjen e diskriminimit janë ato të cilat menjëherë veprojnë pas Rekomandimeve të Komisionit. Ndërkohë që, personat fizikë (për të cilët dënimi maksimal është deri në 400 euro), janë më të ngadaltë në zbatimin e Rekomandimeve, e me kryetarin e KMPD Ismail Kanberi biseduam se si efikasiteti këtu të mund të përshpejtohet.
- Komisioni në bazë ditore evidenton raste të diskriminimit, kryesisht të kryera në Facebook, por pavarësisht Rekomandimeve të dhëna, jo të gjithë diskriminuesit i heqin përmbajtjet diskriminuese nga rrjetet sociale dhe nga Youtube-i. Ku qëndron problemi?
-Diskriminuesi duhet ta lajmërojë Komisionin nëse është vepruar apo jo pas Mendimit tonë, gjegjësisht pas Rekomandimeve. Në rast se nuk e lajmëron Komisionin, ne ngremë procedurë për kundërvajtje para Gjykatës kompetente të kundërvajtjeve (në kuadër të Gjykatës Penale). Kjo procedurë nuk varet prej nesh. Ne tashmë kemi disa lëndë që janë në proces e sipër. Disa prej lëndëve përfundojnë shpejt, disa si ajo në Gjykatën themelore të Prilepit (Departamenti i kundërvajtjeve) për shembull, po shtyhet dhe tashmë është në vit të dytë. Një gjykatëse e drejton lëndën, emrin e saj për momentin nuk ia di. Kemi reaguar, na është thënë se në këtë gjykatë munguakan gjykatës dhe për këtë arsye vazhdimisht i kanë shtyrë afatet.
- Me përqindje, si veprojnë diskriminuesit pas sjelljes së Rekomandimeve tuaja?
-Nëse e marrim nga ana statistikore, nga 70 diskriminime të vërtetuara në vitin 2022, në 16 prej tyre Rekomandimet janë plotësuar. Duhet pasur parasysh se ky ishte vetëm viti i dytë nga ekzistenca e KMPD-së, ndërsa tendenca tregon se Rekomandimet dhe mendimet plotësohen nga ana e institucioneve. Problemi qëndron te personat fizikë, për të cilët kemi vërtetuar se kanë kryer diskriminim në Facebook. Këtu qëndron ndryshe puna, kemi vështirësi teknike, por edhe qytetarët poashtu, pasi që të paraqitet shqetësim, për shembull i bashkësisë LGBT, parashtruesi duhet ta dijë adresën e diskriminuesit. Si ta dinë? Ligji thotë se në parashtresë duhet të qëndrojë: emri, mbiemri dhe adresa.
- Kjo do të thotë se nëse profile të rreme në Facebook diskriminojnë dhe keqtrajtojnë, madje edhe në rast se do të donit të hapnit rast vetë, do të duhej t’i gjenit autorët e vërtetë që fshihen pas tyre, e veç kësaj edhe adresën e banimit?
-Po. Ka një ueb-faqe të tillë speciale me titull për punë gjinore, familje tradicionale etj. Nuk duhet se kush qëndron pas saj. Nuk mund të kontaktohet përmes mjeteve të tjera elektronike që të shihet se kush është regjistrant i faqes, cila është adresa e tij. Mjetet me të cila disponojmë ne nuk mundësojnë zbulimin e identiteteve të vërteta, pa marrë parasysh nëse kërkohen ata që qëndrojnë pas uebfaqes, apo pas një profili përdorues të rrjeteve sociale.
- Përse nuk kërkoni ndihmë nga MPB, nga Sektori për krim kompjuterik?
-Prokuroria publike i ka mjetet. Prokurori publik jep ……. në Sektorin për krim kompjuterik në MPB, ata e kontaktojnë Facebook-un, i cili ua jep IP-adresën, gjegjësisht lokacionin e saktë të mjetit elektronik ku është shkruar përmbajtja diskriminuese. Kjo nevojitet për në procedurë gjyqësore, sepse diskriminuesi më pas nuk mund të shfajësohet duke thënë: “Këtë e kam shkruar unë”, “Më kanë hakuar profilin”, etj.
Nga ana tjetër, ne kemi nënshkruar memorandum me MPB dhe e përdorim atë kur kërkojmë të dhëna personale si numri amë i diskriminuesit që kemi vërtetuar.
- Megjithatë, ku është problemi që nuk mund t’i gjeni të gjithë diskriminuesit?
-Ndodh që të ketë më shumë persona me emër dhe mbiemër të njëjtë, madje deri në 50 apo 60 raste të tilla, e kështu MPB na kërkon më shumë informacione (si data e lindjes, emri i prindërve), që të dijë numrin amë të kujt saktësisht duhet të na japë nga grupi i personave me emrin dhe mbiemrin e njëjtë. Këtu, pra, kemi probleme teknike dhe tani ne kërkojmë ndonjë mënyrë tjetër për gjetje më të shpejtë të diskriminuesve të paraqitur. Edhe gjykatësit presin prej nesh që t’ua sigurojmë të dhënat personale të autorëve për të cilët kemi ngritur procedurë për kundërvajtje. Në Gjykatën themelore të Prilepit, të cilën e përmenda pak më parë në kontekst negativ, ekziston praktikë tjetër, pozitive. Gjykata themelore e Prilepit i merr të dhënat personale me detyrim zyrtar kur ngrihet procedurë e kundërvajtjes. Gjykatat e tjera deri më tani na i refuzojnë kërkesat për ngritje të procedurës, sepse na kërkojnë numër amë të personit ndaj të cilit duam të ngremë këtë procedurë.
- A vlen kjo praktikë e dyfishtë vetëm kur bëhet fjalë për profile të rreme të Facebook-ut?
-Jo, është e njëjta edhe për diskriminuesit që e kryejnë shkeljen përmes profileve reale. Sidoqoftë, nëse ekzistojnë këto të dhëna, si dhe dëshmi se ata e kanë kryer diskriminimin, në gjykatë do të mbrohen duke thënë. “Ai nuk është profili im”, “Dëshmojeni se kam qenë unë ai që e ka shkruar këtë gjë.” Që do të thotë se nevojitet që nga një pikëpamje ligjore të vërtetohet se kush qëndron me të vërtetë pas këtij profili të Facebook-ut. Kemi edhe rast kur një diskriminues potencial përgjigjet: “Në atë periudhë profili më ishte hakuar. Këtë gjë nuk e kam shkruar unë”.
- A janë këto arsyet se pse nga 70 diskriminime të vërtetuara, deri më tani vetëm në 16 raste është vepruar sipas Rekomandimeve? Cili është problemi kryesor se pse diskriminuesit nuk ju dëgjojnë?
-Ndoshta arsyeja është mendësia e njerëzve. Nga ana tjetër, ne kemi mungesë të personelit njerëzor, si arsye e çkaje ndonjëherë mund edhe t’i vonojmë lëndët dhe ngritjen e procedurave për kundërvajtje. Nuk kemi njerëz. Për këtë vit nuk kemi lejuar asnjë punësim, ndërsa përgjatë gjithë ekzistencës së Komisionit, na janë lejuar gjithsej vetëm tre punësime, dhe atë kemi pasur fat që ka mundësi për marrjen e punëtorëve administrative nga institucionet e tjera. Kështu kemi arritur deri te numri 16, që është vetëm 36 përqind nga sistemimi i parashikuar. Qoftë edhe njëri nëse merr pushim apo edhe pushim mjekësor, kapaciteti ynë është aq. Të gjithë punojnë për dy apo tre vetë, e tejkalojnë orarin e punës, ndërsa mjete për t’i shpërblyer këta njerëz nuk kemi.
Këtë vit është rritur me përqindje numri i parashtresave të ngritura dhe tashmë ndihet një shtypje e madhe te shërbimet profesionale. Neve na mungojnë njerëz. Nga janari deri në mars kemi pasur 91 parashtresa, që do të thotë një parashtresë në ditë. Nuk është puna që vetëm të numërojmë Mendime, por duhet që çdo problem të hetohet mirë. Lëndët më komplekse na marrin shumë më tepër kohë. Do të apeloj në Kuvend për kapacitetet, për shërbimin profesional në KPMD, për pavarësi financiare, pasi Ministria e financave mund të na bllokojë na çdo hap nëse dëshiron. E kuptoj se kemi të bëjmë me krizë, por ka një mbingarkesë me parashtresa nga qytetarë të diskriminuar.
- Nga gjykimet më të rëndësishme, cilat do t’i kishit veçuar?
-Kemi një gjykim prej 400 euro për person fizik. Vepra nuk vjetërohet menjëherë, por për tri vjet. Ne do t’i ngremë ato procedura, edhe pse ndoshta jo menjëherë. Dënimet për personat fizikë shkojnë deri në 400 euro, për personat juridikë deri në 10.000 euro. Kemi lëvizje serioze. Për shembull, në një Klinikë kishte problem me burrat baballarë, të cilëve nuk u lejohej të kalonin natën aty. Pas mendimit tonë për vërtetim të diskriminimit dhe pas Rekomandimeve, tani kjo gjë është mundësuar edhe për prindin mashkull. Për më tepër, pas Mendimit tonë, bursat studentore u barazuan. Gjithashtu pas rekomandimit tonë u sigurua qasje në ujë për një lagje (joformale) rome në Kavadar. Gjykata evropiane për të drejtat dhe liritë e njeriut në Stasburg ka cituar një mendim tonin nga Komisioni për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi, që unë e kam shkruar. Drejtpërdrejt, fjalë për fjalë e citojnë Mendimin pas shikimit të gjendjes së konstatuar dhe të Rekomandimeve, dhe e detyrojnë shtetin që në bashkëpunim me Komisionin, ta implementojnë zgjidhjen e propozuar nga ana jonë, gjë që ndodh shumë rrallë në praktikën e Gjykatës në Strasburg.
S.K.DELEVSKA