Ndërmarrja publike “Ujësjellësi dhe kanalizimi” gjatë një viti e gjysëm, shfrytëzuesve u ka dorëzuar fatura për ujë, të cilin ata nuk e kanë harxhuar. Banesave 70 metra katrorëshe u janë dorëzuar fatura sikur të kenë mbushur një pishinë olimpike.
Zyra e Avokatit të Popullit është mbushur me parashtresa të shfrytëzuesve të pakënaqur. Një pjesë e madhe e tyre tashmë janë procesuar.
“Kemi mbi pesëdhjetë lëndë, në të cilat u është tërhequr vëmendja që “Ujësjellësi” ka vepruar kundër ligjit. Faturat e ujit, që u janë dorëzuar qytetarëve janë me vlerë prej 50.000 e deri mbi një milionë denarë. Ka edhe faturë prej 18.000 eurove, për të cilën shpjegimi i vetëm nga ndërmarrja është që bëhet fjalë për faturë të çrregullt dhe gjendja përkatëse pa theksuar se për cilën periudhë bëhet fjalë, pasi që faturat janë paguar me rregull. Në disa raste, gabimet në fatura janë aq të dukshme që nuk nevojitet as interpretim i juristit. Kishim mbledhje me përfaqësues nga ndërmarrja, të cilëve donim t’u theksojmë që ekzistojnë gjëra të cilat duhet t’i korrigjojnë, por nuk hasëm në bashkëpunim. Qytetarëve u mbetet të ngrenë padi me lëndët që ne i përgatisim për ujin që nuk e kanë harxhuar”, thonë nga zyra e Avokatit të Popullit, Ixhet Memeti.
Këtë këshillë e dëgjuan banorët e ndërtesës në Gjorçe Petrov, vazhdim i shtëpisë së pensionerëve me emrin e njejtë. Ata kanë blerë banesë në ndërtesë dhe kanë kërkuar që “Ujësjellësi” të bëjë kontroll të gjendjes së ujëmatësit. Pas kontrollit u është dorëzuar një faturë gjigante për ujë të cilin nuk e kanë harxhuar.
“E faturuan të gjithë ujin e harxhuar të banesës, që kur ekziston ndërtesa. Për një banesë 70 metra katrorëshe na mbërriti faturë prej 135.530 denarëve për dhjetorin e vitit 2014, edhe pse ne jemi pronarë të banesës nga data 31 dhjetor 2014. Shpjegimi ishte që ujin e harxhuar deri atëherë nuk e ka paguar askush. Ujëmatësi në banesën tonë është ujëmatës kontrollues sepse ndërtesa është vazhdim i shtëpisë së pensionerëve. Ujëmatësi kryesor është në shtëpinë e pensionerëve, banorët kanë kryer pagesën te shtëpia, ndërsa shtëpia ka pasur përgjegjësinë ta paguajë “Ujësjellësi”-n. Për këtë çështje, përfunduam në gjyq, i cili megjithatë na detyroi të paguanim 22.000 denarë. Gjykatësja vlerësoi se duhet të paguajmë shumë fikse për 40 metra në kub ujë, gjejgësisht 980 denarë dhe harxhime gjyqi. Nuk shkuam në Apel që mos të bënim harxhime të reja, megjithëse të gjitha argumentet janë në anën tonë”, thotë një banor i ndërtesës, duke theksuar faktin që, megjithëse e gjithë ndërtesa , sipas “Ujësjellësi”-t, nuk ka paguar faturat e ujit, janë paditur vetëm dy banesa, dhe të tjerët, edhe pse kanë borxhe, nuk kanë as padi e as ka dikush që ua ndërpret ujin.
Rasti i tyre është vetëm një nga rastet e shumta që kanë përfunduar te Avokati i Popullit. Shfrytëzuesit e revoltuar akuzojnë që “Ujësjellësi”, nëpërmjet faturave të fryra, dëshiron të sigurojë para për ndërtesën e shtrenjtë rreth Vardarit.
Rritja e faturave të ujit te shkupjanët shkon paralelisht me rritjen e harxhimeve për ndërtimin e ri të ndërmarrjes. Që kur filloi ndërtimi i ndërtesës rrethore rreth Vardarit, në vitin 2011, në vendin ku qëndronin barakat e vjetra, janë bërë një serë marrëveshjesh që e kanë rritur shumën fillimisht të me vlerë prej 10 milionë eurove.
Nëse llogarisim të gjitha marrëveshjet, atëherë ndërtesa e re tani kushton 20.356.673 euro. Ndërtesa e re ka sipërfaqe totale rreth 10.000 metra katrorë, të ndarë në pesë kate dhe tri nivele të nëndheshme me garazhe për 138 automjete. Zgjidhje ideore e arkitektit Harko Çaushevski, i cili për ndërtesën fitoi çmimin e parë me vlerë prej 190.000 dollarëve në konkurs shtetëror. Si kontraktor i punëve ndërtimtare u zgjodh firma austriake “Alpine bau”. Firma bankrotoi që kur e ndërtoi ndërtesën në fazën e karabinasë në vitin 2013, me ç’rast ndërmarrjes iu desh të zgjedhë kontraktor të ri, e ndërkohë mori kredi prej 7.317.073 eurove për përfundimin e ndërtesës. “Alding Inzhenering” në vitin 2014 u zgjodh për ta mbaruar selinë e re të ndërmarrjes. Ndërtimi është kah fundi. Sipas lajmërimeve të fundit, ndërmarrja duhet të shpërngulet gjatë këtij muaji dhe të ndalojë së paguari qera mujore prej 25.000 eurove, ose 300.000 euro në vit firmës “Tehnometal Vardar” ku kanë qenë të vendosur prej vitit 2011.
Ndërsa pritet shpërngulja e ndërmarrjes, “Ujësjellësi” edhe një herë e rriti çmimin e objektit të ri. Shoqëria “Arhitektonika duhet të bëjë ndryshim dhe plotësim të projektit fillestar gjatë kohës së ndërtimit në të gjitha fazat dhe projekt për gjendje të kryer në të gjitha fazat për 1.4 milionë denarë, edhe pse objekti ka përfunduar. Ndërmarrja shpjegoi se në projektet e vjetra ka pasur defekte të cilat është dashur të korrigjohen.
Përktheu: Fjolla Zllatku