Komisioni për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi ka sjellë mendim se shkollat e mesme: “Mirçe Acev” nga Prilepi, “Jane Sandanski” nga Shtipi dhe “Jane Sandanski” nga Strumica, kanë kryer diskrimunim indirekt të shumëfishtë mbi nxënësit, nëpërmjet rregullave të miratuara për pamjen e nxënësve.
Nëse nuk respektohen këto rregulla të shkruara në tabelat e rregullores së shkollës, nxënësit përjashtohen nga mësimi, çka përbën jo vetëm diskriminim të rëndë, por edhe shkelje të Ligjit për arsim fillor dhe të mesëm, sipas të cilit arsimi i fëmijëve është i detyruar, me kushte të barabarta dhe pa diskriminim. Me ndalimin e qasjes që u bëhet nxënësve “joadekuatë”, shkelet edhe neni 44 i Kushtetutës.
Në parashtresa thuhet se diskriminuesit e paraqitur kanë miratuar rregulla dhe kode të sjelljes dhe dukjes së nxënësve, ku shënohet se është e ndaluar të mbajnë: thonj të gjatë, pirse, bluza pa mëngë, streçe, pantallona të shkurtra, bermuda, shorce, xhinse të grisura, tuta dhe funda të shkurtër. Veç kësaj, te këto rregulla thuhet se gjatësia e lejuar e fundeve është deri në gjunj ose nën gjunj, ndërsa pantallonat duhet të jenë të gjata.
Për më tepër, këto rregulla thonë se çdo nxënës duhet të ketë kujdes modelin e flokëve gjatë mësimit. Vajzat duhet të kenë flokët e rregulluar dhe të mbledhur, meshkujt nuk duhet të kenë flokë të gjatë, bisht ose mjekër.
Si masë ndaj mosrespektimit, këto shkolla kanë parashikuar dënim – për nxënësit të cilët nuk do t’u përmbahen rregullores, shkolla do të ndalojë hyrjen në shkollë, gjegjësisht nuk do të pranohen në mësim.
Në bashkëngjitje të parashtresave, parashtruesit kanë fotograguar dhe kanë dorëzuar deri te Komisioni për antidiskriminim edhe pllakat me rregullat diskriminuese, të ngjitura në hyrje të këtyre tri shkollave të mesme.
Ata i janë përgjigjur Komisionit se me këto rregulla, qëllimi ka qenë të theksohet se gjatë realizimit të procesit mësimor, përveç arsimimit të fëmijëve duhet të mbahet llogari edhe për edukimin e tyre. Ata besojnë se rekomandimet janë neutrale dhe se rregullat nuk janë diskriminuese, nuk stimulojnë stereotipe gjinore, por përkundrazi ato janë përshtatur me ndryshimet dhe identitetet gjinore.
Komisioni i antidiskriminimit rekomandon që këto tre shkolla të mesme në afat prej 30 ditëve nga pranimi i Mendimit të sjellë për diskriminim të shumëfishtë, të kryejnë ndryshimin e rregullores me heqjen e rregullave për dukjen e jashtme të nxënësve dhe për këtë gjë të lajmërojnë me shkrim Komisionin.
Në të ardhmen ata nuk do të mund të miratojnë akte nënligjore që shkaktojnë diskriminim në bazë të gjinisë identitetit gjinor, pronës personale apo çfarëdolloj baze tjetër apo që nuk janë në përputhje me Kushetutën dhe ligjet e Republikës së Maqedonisë së Veriut.